Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri në mbledhjen e përgjithshme të këtij subjekti ka thënë se katër muajt e fundit po e definojnë të ardhmen e Kosovës dhe rrjedhimisht të ardhmen e Vetëvendosjes në të. Ymeri nuk u ndal me kaq. Tha se Atifete Jahjaga është qind përqind vegël e kësaj mendësie politike, dialogun po e kërkojnë sa për ta maskuar këtë të vërtetë të tyre politike.
Në fjalimin ku ka thënë se Republika e Kosovës po vazhdon të kërcënohet nga “Zajednica” e Serbisë, se territori i kësaj Republike po vazhdon të kërcënohet me tkurrje nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, se Qeveria e policëve po vazhdon të egërsohet e të kërcënojë dhe se sipas tij, po hyjmë në një fazë të definimit të qartë të pozicioneve brenda shtetit tonë.
“Populli i Kosovës bashkë me Opozitën e Bashkuar në njërën anë duke e kundërshtuar formalizimin dhe konsolidimin e ndërhyrjes së Serbisë brenda territorit, institucioneve, pasurisë, resurseve të Republikës së Kosovës. E treshja Mustafa – Thaçi – Veseli në anën tjetër duke e luftuar këtë kundërshtim, duke e keqpërdorur aparatin shtetëror, polici, gjyqësi, për të vënë atë në funksion të hapjes së rrugës për këtë ndërhyrje të Serbisë. Situata është tejet e qartë dhe po qartësohet përherë e më shumë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kohëve të fundit klika Mustafa – Thaçi janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndarjes formale të Trepçës në dy ndërmarrje funksionale. Njëra në veri e tjetra në jug.