Një konflikt i mbartur prej kohesh sot ka shpërthyer në Librazhd dhe konkretisht në komunitetin mysliman të kësaj zone.
Këshilli i Myftinisë kërkon largimin e myftiut Taulant Bici, i cili sipas tyre ka sjellë përplasje me Islamin tradicional. Ata thanë se kanë humbur shpresat nga komuniteti Mysliman dhe për këtë kërkojnë ndihmën e shtetit.
Këshilli i Myftinisë së Librazhdit akuzoi KMSH-në se, prej 7 muajsh nuk ka marrë asnjë masë për situatën e krijuar në Myftininë e Librazhdit.
“Jemi sot dëshmitarë të një situate që ka sjellë përplasje me islamin tradicional. Të ndodhur në këtë situatë të tensionuar, në rritje dhe pa asnjë reflektim nga myftiu, dhe për kthimin e normalitetit të frymës mirënjohëse e vëllazërore në institucionin e besimtarëve të këtushëm, kërkojmë largimin e menjëhershëm nga detyra të myftiut të Librazhdit, Taulant Bici, duke qenë se është shkaktar i kësaj përçarjeje dhe anomalie”, tha Fatmir Hoxha, anëtar i Kryesisë së Myftinisë Librazhd.
“Me ardhjen e këtij myftiu është krijuar një përbuzje ndaj klerikëve të vjetër, ndaj imamëve të vendosur në komunitetin mysliman dhe nga Myftinia e rrethit të mëparshëm”, tha Hekuran Karaj, imam.
“U drejtohemi organeve kompetente. Sot nuk ka komunikim nëpërmjet dikasterit nga i cili varemi. Janë konsumuar të gjitha procedurat. Sot i drejtohemi shtetit për këtë mosmarrëveshje që kemi, të venë dorë dhe të paktën të na lënë aty ku ishim, të mos na përçajnë”, tha Maliq Gurra, nje tjeter imam i zones.