Dhjetëra qytetarë kanë demonstruar sonte në Shkup me kërkesë për dorëheqje të ministrit të Shëndetësisë Nikolla Todorov, me transparente në të cilat shkruante “Është koha për përgjegjësi Todorov”, “Jetët tona s’janë poenë tuat partiakë”, “Duam sistem që shëron, e jo që vret”, si dhe me fotografi të ministrit ku shkruante “Ministri për vdekje”.
Protesta është mbajtur para Parlamentit maqedonas, në kohën kur po mbahej interpelanca me ministrin, i cili akuzohet për gjendjen e rëndë në shëndetësinë e vendit, ku si pasojë e neglizhencës dhe kushteve të këqija vdiqën disa pacientë në periudhën e kaluar disamujore.
Gjatë pauzës, protestuesve iu bashkëngjitën edhe deputetët e opozitës, të cilët edhe parashtruan interpelancën.