Një kamikaz drejtoi motoçikletën e tij të ngarkuar me eksplozivë drejt një patrulle të përbashkët mes forcave të NATO-s dhe atyre afgane gjatë kësaj të hëne, duke lënë të vrarë 6 ushtarë amerikanë, në atë që konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës ndaj forcave ndërkombëtare që prej gushtit. Dy amerikanë të tjerë dhe një afgan mbetën të plagosur.
Sulmi ndodhi teksa talebanët kanë pushtuar tashmë një rajon strategjik në provincën jugore të Helmandit, që ka qenë skenë e disa përplasjeve vdekjeprurëse mes tyre dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë përpara tërheqjes së këtyre të fundit në vitin 2014, duke nxitur edhe më shumë parashikimet e Pentagonit se kryengritja e terroristëve po forcohet gjithnjë e më shumë.
Ushtarët u vunë në qendër të sulmit pasi kaluan përmes një fshati në bazën ajrore të Bagramit, më e madhja e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, bëjnë të ditur zyrtarë të NATO-s dhe ata afganë. Përgjegjësinë për sulmin, sigurisht që nuk mund të mos e merrnin talebanët.
“Simpatitë tona të përzemërta shkojnë për familjet dhe miqtë e ushtarëve të përfshirë në këtë incident tragjik, veçanërisht gjatë këtij sezoni festash të fundvitit”, tha gjeneral brigade Ëilliam Shoffner, kreu i marrëdhënieve me publikun në bazën e NATO-s, që ndodhet në kryeqytetin afgan Kabul.
Ky ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj trupave të huaj në 4 muajt e fundit. Më 22 gusht, 3 kontraktorë amerikanë u vranë pas një sulmi kamikaz në Kabul. Më 7 dhe 8 gusht, Kabuli ishte gjithashtu skenë e tri sulmeve të kryengritësve brenda 24 orësh, që lanë të paktën 35 persona të vdekur. Njëri prej sulmeve, i kryer në një prej bazave të forcave operacionale amerikane jashtë Kabulit, la një ushtar amerikan të vdekur dhe 8 kontraktorë afganë, civilë. (TCH)