Lajmet e fundit

Alarmi i fundit për t’u zgjuar nga gjumi

Duke qenë në prag të fundit të një viti që u karakterizua me diplomaci të dështuar, si asnjëherë më parë, Kosova ka nevojë më së shumti për bashkimin e rinisë, për të zhdukur mosbesimin për ditë të mira, mosbesim që vazhdon të na ushqejë kjo qeveri.
Është koha për rrënimin e mendësisë që gjërat rregullohen vetvetiu duke qëndruar duarkryq.
Është koha për ndryshim e vendosmëri sidomos së fundmi kur u dëshmua përsëri se ndërkombtarët nuk të shërbejnë nëse ti nuk i shërben vendit tënd, kur u dëshmua përsëri se qytetari nuk ka fare peshë te qeveritarët, kur u dëshmua edhe shteti policor që arreston deputetët opozitarë që nuk pajtohen me veprimet e qeverisë si dhe kur u dëshmua që Kosova mund të jetë stabile e paqësore vetëm kur ne heshtim dhe pranojmë gjithçka që sjellë kjo qeveri.
E kjo e vërtetë e hidhur është alarm… alarmi
i fundit për t’u zgjuar nga gjumi nëse duam shtet të vërtetë!
Prandaj unë që i përkas brezit të të rinjve, refuzoj të mbyll sytë dhe të pranoj këtë realitet zhgënjyes, nuk i pranoj dy marrëveshjet e Asociacionit e Demarkacionit, unë refuzoj t’iu lë pasardhësve të mi trashëgimi një gjysmë Kosovë e me konflikt permanent.
Kjo gjendje e jashtëzakonshme që po mbretëron në vend kuptohet që nuk është për t’u duartrokitur, por e mira e kësaj deri tani është se shumica e kanë kuptuar përfundimisht që Kosova si çerdhe e dështimeve është vepër e askujt tjetër përpos e qeveritarëve të cilët mbi të gjitha vazhdojnë duke mos e konsideruar gabim faljen e tokave tona, pa asnjë fije turpi, duke ia kthyer shpinën Kosovës për interesa personale.
Prandaj në këtë aktualitet, duhet të theksoj se rezistenca e opozitës do të mbetet një prej veprave me rëndësi historike për mbrojtjen e vendit, sinjali i parë i shpresës.
Të vazhdojmë kundërshtimin me çdo formë e me këmbëngulësi, sepse nuk ke si të biesh dakord ndryshe me qeveritarë sistemi i të cilëve nuk njeh llogaridhënie, nuk dëgjon zërin e qytetarit, që sjell korrupsion, varfëri, papunësi që e kanë shtuar lodhjen e e kanë zvogëluar durimin e shumicës.
Sigurisht që nuk ka rezultate pozitive në rrugën e integrimit euroatlantik kur së pari në të gjitha fushat kyçe brenda shtetit mbretërojnë rezultatet negative.
S’do mend që Kosova ka nevojë për një shans të ri.
Shans i cili nuk duhet t’iu jipet më njerëzve të tillë që nuk mirren me interesin publik por rrisin vetëm ekonominë personale.
Të ngrihemi të gjithë për të mos e lejuar Kosovën të bëhet model që nuk duhet ndjekur. 

 

Autore : Diellza Hoti – Kryetare e Aleancës së të Rinjve të Kosovës (ARK) .

Leave a Reply

Your email address will not be published.