Lajmet e fundit
Kreditë e këqija, 153 milionë euro

Kreditë e këqija, 153 milionë euro

Kreditë e këqija në vend edhe më tutje vazhdojnë të pësojnë rritje të konsiderueshme në raport me vitet e kaluara. Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se kreditë e këqija në fund të shtatorit të këtij viti kanë arritur në 8,5 për qind, e derisa në fund të qershorit të këtij vitit kishin qenë 7,8 për qind.

Sipas BQK-së kjo rritje e pjesëmarrjes së kredive jo performuese në gjithsej kreditë kryesisht i atribuohet normës më të ulët të rritjes së gjithsej kredive gjatë kësaj periudhe.

Sektorët që kontribuuan në rritjen e kredive joperformuese gjatë kësaj periudhe ishin kryesisht tregtia dhe industria prodhuese. “Kreditë joperformuese vazhdojnë të jenë mirë të mbuluara me provizionet për humbjet e mundshme nga kreditë. Në shtator 2013, mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë është rritur në 113,2 për qind, krahasuar me 112,6 për qind në dhjetor 2012. Sektori bankar vazhdoi të ketë nivel të kënaqshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit edhe në TM3 2013. Treguesi i Mjaftueshmërisë së Kapitalit (CAR) në shtator 2013 arriti në 16,4 për qind nga 14,2 për qind sa ishte në dhjetor 2012”, thuhet në raportin e BQK-së.

Më tej në raport thuhet se sektori bankar u karakterizua me performancë pozitive edhe në tremujorin e tretë të vitit 2013, ku fitimi neto i sektorit arriti vlerën prej 22.4 milionë euro, që tregon për një rritje prej 5.2 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Përderisa të hyrat e sektorit bankar kanë shënuar rritje të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, gjithsej shpenzimet kanë pësuar rënie dhe kjo kryesisht për shkak të shpenzimeve më të ulëta në kategorinë e shpenzimeve për provizione dhe shpenzimeve tjera jo nga interesi. “Zvogëlimi i shpenzimeve të sektorit bankar është reflektuar edhe në raportin e shpenzimeve ndaj të hyrave të sektorit bankar. Në shtator 2013, raporti i shpenzimeve ndaj të hyrave ishte 87,2 për qind, krahasuar me nivelin prej 88,8 për qind sa ishte në shtator 2012. Megjithatë, kryesisht si pasojë e rënies më të madhe të shpenzimeve në qershor 2013 krahasuar me shtatorin 2013, raporti i shpenzimeve ndaj të hyrave të sektorit bankar ishte më i lartë në shtator të këtij viti krahasuar me qershorin 2013 kur ky raport qëndroi në 86,7 për qind”, thuhet në raport.

Sipas BQK-së, në shtator të këtij viti gjithsej kreditë shënuan vlerën prej 1.8 miliard euro. Në shtator 2013, gjithsej depozitat në sistemin bankar kanë shënuar rritje vjetore prej 6,3 për qind (5,2 për qind në shtator 2012), duke arritur kështu vlerën prej 2.3 miliardë euro. Kontribuues kryesor në rritjen e gjithsej depozitave të sistemit bankar vazhduan të jenë depozitat e ekonomive familjare. /Zëri/

Leave a Reply

Your email address will not be published.