Aleanca e Gruas së Kosovës vizitoi familjen e Donjeta Pajazitajt për t’i shprehur ngushëllimet e saja dhe për ta ndarë dhimbjen me ta.
AGK, e indinjuar për tragjedinë që i ndodhi Donjeta Pajazitajt nga Strellci i Deçanit, ngre zërin e saj për t’i bërë thirrje organeve të hetuesisë që ta zbardhin sa më parë vrasjen e mistershme të saj në moshën 24 vjeçare.
“Donjeta ishte njëra nga lulet që e shkëputën nga jeta në moshën më të bukur të saj.
Fatkeqësisht, kjo nuk është njëra ndër rastet e para që ndodhin në vendin tonë, vrasësit e tillë duhet të dënohen pa u kursyer me dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK kujton se tragjeditë e tilla, zanafillën e kanë që nga dhuna që i ushtrohet femrës në përgjithësi në vendin tonë.
“Obligimi i organeve fillimisht të hetuesisë, e pastaj të drejtësisë, është aq e madhe sa kjo vajzë e shkretë u vra në mënyrën më të vrazhdë të mundur dhe po aq e madhe sa kjo vajzë la pas një dhimbje të pashtershme në familjen e saj”, përfundon reagimi i Aleancës së Gruas së Kosovës.