Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami i ka reaguar Behgjet Pacollit, duke treguar për investimet e huaja për vitin 2015. Bajrami ka thënë se këtë vit në Kosovë ka pasur 240 milionë euro investime të huaja.
Lexojeni të plotë reagimin
Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli paska shkruar në llogarinë e tij në Facebook se Qeveria po thotë të pavërteta kur flet për investime të huaja, pra se në periudhën janar-shtator 2015 në Kosovë kishin hyrë në formën e investimeve të huaja 240 milion euro. Ndërsa në javët e kaluara, zoti Pacolli i kishte renditur nja 7 pika të “mohimit’ të çdo gjëje dhe duke konstatuar se “Qeveria po na trajton si kafshë duke manipuluar me raporte”.
Nuk mund ta kuptoj një njeri që ka qenë President i Kosovës (pa marrë parasysh sa ditë të ketë qenë), zëvendëskryeministër i parë në Qeveri në një mandat, ta pengoj çdo e arritur e Kosovës gjatë kësaj periudhe.
Por të dhënat janë të sakta Z. Pacolli! Se në Kosovë ka pasur investime për nëntë muaj prej 270 milion euro, flasin të dhënat nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe BQK nuk e ka ndryshu metoden e llogaritjes se IHD prej që ju keni ngelë pa pushtet, e njëjta metodë përdoret edhe sot. Se Kosova është në vendin e 66 me të bërit biznes le ta sheh publikimin e Bankës Botërore “World Bank Doing Business Report 2016”, dhe se Kosova këtë vit do të ketë rritje ekonomike prej 3.2% për vitin 2015 dhe 3.8 për vitin 2016 e mbi 4% për vitet 2017-2018, flet raporti i Fondit Monetar ndëkombëtar (World Economic Outlook, October 2015). Se në Kosovë kanë ardhur biznese nga Austria, nga Gjermania, nga Italia, nga Zvicra, nga Anglia dhe nga SHBA-ja e shumë vende tjera, po ashtu konfirmohen nga Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve. Në total, 428 biznese të huaja të reja deri më 30 nëntor 2015, krahasuar me vetëm 141 deri në nëntor 2014.
z. Pacolli mos të ju verbojë mungesa e pushtetit, të flasim të gjithë me gjuhën e realitetit!