Ambasadori amerikan në Shqipëri , Donald Lu, është shprehur besimplotë se në pranverën e 2016 do të miratohet reforma në drejtësi në Shqipëri, e cila do të pasohet me vënien në zbatim të saj. Dhe këtë besim, diplomati amerikan e bazon mbi shenja.
“Shenja më e sigurt që kjo reformë do të jetë një sukses është se disa njerëz të pushtetshëm në Shqipëri kanë frikë, kanë frikë se do të humbasin vendin e punës dhe të ardhurat e pista por kanë frikë edhe se mund të përfundojnë në burg. Ndoshta duhet të kenë frikë”, tha Lu.
Në ceremoninë festive të organizuar nga Komisioni i Drejtësisë për festat e fundvitit, Lu falënderoi ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm që kanë punuar pa pushim për reformën.
E nëse ky sezon veror iku pa pushime për ta, Ambasadori amerikan nuk kishte lajme të mira as për verën që vjen.
“Kam një mesazh për ekspertët, ata shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë të emëruar nga shumica dhe opozita. Vura re verën e kaluar që nuk bëtë pushime sepse gjatë gjithë gushtit po punonit për të përfunduar projektamendamentet kushtetuese dhe dokumentin e analizës të opozitës. Tani shoh q keni marrë dhuratën e posaçme të festave për të punuar për riformulimin e amendamenteve në përgjigjet të Komisionit të Venecias. Ju garantoj se raportuesit e Komisionit të Venecias nuk po i kalojnë festat duke e vrarë mendjen për Shqipërinë. Në emër të gjithë atyre që nuk anë jurist më lejoni t’ju falederoj për sakrificën dhe përkushtimin tuaj. Kam besim se ky rezultat i punës dhe përkushtimi i madh në pranverë do të festojmë miratimin e reformës në gjyqësor. Pastaj do të gjejmë një mënyrë për t’ua prishur dhe pushimet e tjera me punën më të vështirë të zbatimit të kësaj reforme ambicioze”, theksoi ai.