Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se disa herë i është kërcënuar jeta, madje nga njerëz të afërt, por që kurrë nuk i ka dorëzuar këto të dhëna, pasi e kanë vrarë shpirtërisht.
Xhavit Haliti, një nga figurat kryesore të UÇK-së, tani nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në Zona B të Baton Haxhiut ka folur për rrugëtimin e tij deri sot.
Haliti ka thënë se shumë herë i është kërcënuar jeta për arsye të veprimtarisë së tij kombëtare e anti-regjim.
“Krahas rreziqeve që kam kaluar dua të them që një meritë të veçantë për mundësinë që më është dhënë, ta jap atë çfarë di dhe mundem i falënderoj shokëve të mijë që ma kanë besuar detyrën. Sa i përket kundërshtarëve të atëhershëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ndoshta si njëri nga protagonistët që kam qenë shumë aktiv në atë kohë, në ballë të demonstratave, aksioneve e tubimeve, ndoshta Serbia ka menduar se duke goditur tre personazhe njëherit do të dëmtojë rezistencën kombëtare”, ka thënë ai.
Më tutje, nënkryetari i Kuvendit ka thënë se e di edhe kush ka planifikuar vrasjen e tij, por që nuk i ka dorëzuar ato informata në organet gjegjëse.
“E di saktë kush ka qenë protagonisti, kush e ka planifikuar vrasjen time. Këto nuk i kam dorëzuar sepse janë shumë persona që më kanë ‘vrarë’ shumë më kanë goditë shpirtërisht, janë njerëzit e mi që kemi jetuar bashkë kemi ngrënë bashkë. Burimi është në Beograd”, ka thënë ai.
Haliti përmend disa raste të tentimet të vrasjes së tij.
“Do t’i përmendi vetëm inicialet që ata t’i kruajnë veshët, ndoshta më vonë do të dalë edhe me emra. 7 nëntor 1985, kanë dashtë me më vra Xhavit Kuçi, Bashkim Qerkini, Nazim Bllaca; 1990 në Cyrih, atentat i organizuar nga UDB-ja me urdhër të Millosheviqit, me arsyen se kemi bërë plan për ta vrarë Millosheviqin; 1991- Zoki, protagonist i rëndësishëm i UDB-së, njëri nga udhëheqësit e UDB-së në Kosovë kanë organizuar një takim me bindjen që unë të dalë. Inicialet janë S.K nga Prishtina. Paris, 1999, në konferencën e Rambujesë më ka thirrur Fatos Klosi i informuar nga shërbimet mike e më ka thënë ta lëshoj takimin më herët se kanë organizuar atentat ndaj teje. Në makinë kanë qenë Naim Muja, Shaip Muja, Hashim Thaçi dhe Bilall Sherifi. Ata i ka nuhat Bilall Sherifi afër kullës së Ajfelit. Me makinën që ma kanë sjellë kam shkuar në Romë e nga Roma në Tiranë”, ka thënë ai, duke përmendur edhe raste tjera. /klankosova.tv/