Nëpërmjet një “demanti”, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar të martën finalizimin e Dekretit, me të cilin është paraparë të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe shkruan sot Koha Ditore.
Me të, vetëm ka thënë që veprimi ishte ndërmarrë para se Marrëveshja e parimeve mbi bazën e të cilave do të themelohet Asociacioni i është dorëzuar për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese.
“Duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, Qeveria ka pezulluar të gjitha veprimet në lidhje me këtë marrëveshje në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, dhe veprimet e saja të mëtejme do të jenë në përputhje me këtë verdikt”, thuhet në sqarim.
“Në periudhën prej 25 gusht 2015, kur ishte arritur kjo marrëveshje në Bruksel deri më 29 tetor 2015, Qeveria ka qenë e angazhuar për përgatitjen e një dekreti për procedurat e krijimit të Asociacionit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim që të kërkojë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj para se Qeveria ta aprovoj një dokument të tillë, ashtu sikurse që kërkohej në pikën e dytë të Marrëveshjes për Asociacionin”. Koha.