Sulmet e organizatës terroriste “Boko Haram” kanë ndikuar që më shumë se një milionë fëmijë të mos shkojnë në shkollë në Afrikën Qendrore.
Në deklaratën të bërë nga Fondi Ndërkombëtar i Emergjencave të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), u theksua se dhuna dhe sulmet në verilindje të Nigerisë dhe shteteve fqinje ka sjellë ndalimin e të drejtës së arsimit të më shumë se 1 milion fëmijëve.
Drejtori rajonal i UNICEF-it në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, Manuel Fontaine, theksoi se në Nigeri, Kamerun, Çad dhe Niger gjenden qindra shkolla të cilat janë sulmuar dhe iu është vënë zjarri nga militantët e “Boko Haram”-it, përveç kësaj më shumë se 2 mijë shkolla janë të mbyllura.
Fontaine ka theksuar se “kjo është një shifër tronditëse. Përleshjet kanë bërë një goditje të madhe ndaj arsimit në rajon. Ngjarjet e dhunshme shkaktojnë që shumë nxënës më shumë se një vit të mos shkojnë në shkollë”.
Fontaine i cili theksoi se shkollat janë shndërruar në objekte të sulmeve të “Boko Haram”-it, tha se mësuesit të cilët kanë frikë nga ngjarjet e dhunës nuk shkojnë nëpër shkolla, dhe familjet nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla.
Në lajmin e ueb-faqes së UNICEF-it është theksuar se para se të nisë kriza, në Nigeri, Kamerun, Çad dhe Niger gjenden përafërsisht 11 milionë fëmijë të kohës së shkollës fillore, të cilat nuk shkojnë në shkollë, dhe se në këtë shifër janë shtuar edhe nxënësit të cilët me nisjen e përleshjeve kanë braktisur shkollat e tyre.
“Boko Haram” u themelua në vitin 2002 në shtetin më të populluar në Afrikë, Nigeri e cila ka popullsi prej 160 milionë banorësh. Në ngjarjet kolektive të dhunës të nisura nga kjo organizatë humbën jetën më shumë se 20 mijë njerëz, ndërsa 2 milionë persona u zhvendosën nga vendet e tyre. Në sulme gjithashtu humbën jetën 600 mësues.