Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin si shpërblim një shumë prej 50 mijë lekësh të vjetra me rastin e festave të fundvitit. Lajmi konfirmohet pranë burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës për “Gazetën Shqiptare”. Nga fondi prej 98 milionë e 400 mijë lekësh që qeveria miratoi pak ditë më parë për shpërblimet e policëve, pasi të kompletohen të gjithë efektivët me shumën e caktuar, pjesa tjetër e lekëve do të ndahet për punonjësit që kanë arritur rezultate më të mira në detyrë.
“Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin shpërblim nga 50 mijë lekë të vjetra pa përjashtim, përveç atyre që janë me masë disiplinore. Nga fondi që miratoi qeveria, pasi të kompletohen të gjithë me 50.000-lekëshin e caktuar, pjesa tjetër që mbetet do të shpërndahet për punonjësit më të mirë të Policisë së Shtetit”, sqaruan burimet.
Ndërkaq, mësohet se mes punonjësve të policisë të cilët do të marrin shpërblim plus shumës prej 50 mijë lekësh, do të jenë edhe drejtues së Policisë së Shtetit, shefa komisariatesh, apo edhe shefat e Krimeve e të Rendit.
Paraprakisht, punonjësit e policisë që do të përfitojnë shpërblim shtesë do të jenë nga radhët e FNSH-së, të RENEA-s, punonjësit e komisariateve, apo edhe ata të Drejtorive të Policisë në qarqe.