“Nuk do shumë mend kjo punë. Siria është transformuar në një vatër të terrorizmit nga Europa, Turqia, Katari dhe Arabia Saudite. Por, pyetja më e rëndësishme është se si arrijnë të dalin këta njerëz në Europë?” tha Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad.
“Ne, që nga fillimi kemi luftuar kundër terrorizmit,” theksoi ai. “Lufta kundër terrorizmit duhet të ketë një parim stabil, të qëndrueshëm,” tha ai për Sputnik News, transmeton Gazeta Blic.
Por, ai shtoi se politika perëndimore ndaj terrorizmit nuk është objektivi real i saj.
Sipas presidentit sirian, lufta kundër terrorizmit nuk mund të ketë sukses pa involvimin e trupave tokësore. Ndërsa, ka shtuar se deri me tani asnjë nga vendet perëndimore nuk është shprehur e gatshme për një veprim të tillë.
Për më tepër, shumë vende perëndimore e konsiderojnë dorëheqjen e Asad një parakusht të rëndësishëm për fillimin e procesit të paqes. Sipas udhëheqësve perëndimorë, paqja mund të jetë e qëndrueshme në Siri vetëm nëse Bashar al-Assad heq dorë nga pozita e tij.
“Unë nuk e pranoj një gjë të tillë,” tha ai. “Ne jemi vend sovran. Kjo mbetet çështje e sirianëve dhe jo e Europës. Populli sirian vendos se kush do të qëndrojë dhe kush do të largohet. Unë largohem vetëm nëse populli sirian e kërkon një gjë të tillë,” theksoi ai, transmeton Gazeta Blic.
Në pyetjes se pse shumë njerëz nga Europa po i bashkohen grupeve xhihadiste, Assad tha se vendi i tij në situatën aktuale po tërheq radikalë nga e mbarë bota. Në të njejtën kohë, ai përmendi vendet europiane që duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje se pse njerëzit nga Europa kanë tendencë të ndjekin rrugën e radikalizmit.
Assad gjithashtu është shprehur i gatshëm të bisedojë me të gjitha palët në konflikt, por dyshon te guximi i shteteve perëndimore rreth negociatave për Sirinë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara.