Rastin e hedhjes së vezëve ndaj ministrit për Zhvillim Ekonomik Blerand Stavilecit nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, është komentuar sot edhe nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.
Në mbledhjen e Qeverisë, Mustafa ka shprehur keqardhjen e tij ndaj veprimit të djeshëm ndaj zyrtarëve të Qeverisë, që po u bëhen nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Përveç hedhjes së vezëve Mustafa ka kritikuar edhe deklaratat e Vetëvendosjes rreth këtyre veprimeve duke kërkuar nga këta të fundit që është koha të vetëdijesohen dhe të respektojnë normat dhe ligjet.
Mustafa: Shpreh keqardhjen dhe kundërshtimin tonë për veprimet e Vetëvendosjes
“Nuk është vetëm çështje e gjuajtës me vezës por është çështje e deklarimit të ‘Vetëvendosjes’ se ata nuk do t’i lënë rehat të punojnë anëtarët e Qeverisë dhe Qeverinë. Askush nuk guxon dhe nuk ka të drejtë që të përcaktojë, rregullat kufizimet e jetës së qeveritarëve të Republikës së Kosovës dhe jetës së tyre private dhe publike. Kjo kapërcen çdo normë të sjelljes , dhe çdo normë ligjore prandaj unë kërkoj në emër të Qeverisë që ata të vetëdijesohen të sillen sipas ligjit dhe të respektojnë normat e këtij shteti dhe këtij vendi”, tha Mustafa
Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar edhe themelimin e Këshillit Nacional për Persona me Aftësi të Kufizuar të cilën e prezantoi zëvendësministri Kujtim Shala, sipas të cilit në përbërje te këtij këshilli do të jenë të përfshirë zëvendësministra dhe persona që përfaqësojnë shoqatat e personave me aftësi të kufizuara dhe se roli i këtij Këshilli do të jetë këshillëdhënës.
Shala: Këshilli Nacional për Persona me Aftësi të Kufizuara organ këshillues
“Zyra e Kryeministrit propozon që të shqyrtohet dhe të miratohet propozon vendimin për themelimin e Këshillit Nacional për Personat me aftësi të Kufizuar në këtë përbërje. Nj zëvendëskryeministër i cili do të jetë kryesues, kryetari i Forumit të Personave me Aftësi të Kufizuara, bashkëkryesues, drejtor i Zyrës për Qeverisje të mirë Zyra e Kryeministrit, zëvendëskryesues, zv. ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale anëtar …. po ashtu përfaqësues në cilësi të anëtarëve do të kenë edhe shoqatat HANDIKOS-HANDICAP Kosova, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, Doën Syndrome Kosova dhe Shoqata e Autizmit. Këshilli Nacional për Persona me Aftësi të Kufizuara është një organ këshillëdhënës dhe orientues dhe rrit prioritetet dhe politikat nacionale në fushën e aftësive të kufizuara”, tha Shala.
Ndërsa për shoqatën e të verbërve u ndan 13 mijë e 641 euro dhe u tha se këto mjete do të merren nga rezervat e Qeverisë. Këtë vendim e ka arsyetuar zëvendëskryeministri Shala.
Shala: Zyra e kryeministrit ndan 13 mijë e 641 euro p ër Shoqatën e të Verbërve të Kosovës
“Zyra e Kryeministrit propozon që të shqyrtohet dhe të miratohet propozim vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 13 mijë e 641 euro për Shoqatën e të Verbërve të Republikës së Kosovës. Shoqata e të Verbërve ka kërkuar që dokumentet që janë bazë e bashkëpunimit të qeverisë dhe shoqërisë civile të printohen dhe të publikohen edhe në shkrimin Braill”, tha Shala.
Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka thënë se deri tani kjo ministri në alfabetin e Braill-it ka të përkthyer përveç Kushtetutës edhe Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale dhe se pritet që vitin e ardhshme edhe disa ligje të tjera që janë me rëndësi të jenë të përkthyera edhe për këtë kategori të shoqërisë do të realizohen.
Kuçi: Vitin tjetër do të përthyejmë në alfabetin e Braillit edhe ligjin për martesa, trashëgimi dhe familje
“Për vitin tjetër kemi plan që të bëjmë edhe ligjin për martesën, për trashëgiminë dhe familjen dhe me çështjet pronësore që lidhen me të drejtat e tyre elementare”, tha Kuçi.
Qeveria në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar e dërguar për në Kuvend edhe projektligjin për Kundërvajtje, atë për rregullat e komunikacionit rrugor si dhe në mesin e disa te tjerëve ka miratuar edhe projektligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme në Kosovë.
Mustafa ka mbyllur për sot mbledhjen e Qeverisë duke treguar që mbledhja e fundit për vitin 2015 është të hënën. /K. Press