E respekton çdo mendim të çdonjërit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe ato kundër që mund të jenë.
Isa Mustafa, që është edhe prijësi i kësaj partie i tha këto fjalë gjatë homazheve që bëri sot pranë varrit të ish – presidentit Ibrahim Rugova, ku edhe e vizitoi për nder të përvjetorit të LDK-së.
Partia që udhëheq ai, sot mbush 26 vjet që nga themelimi i saj dhe sipas Mustafës ajo çdo ditë e më shumë po fuqizohet.
Mustafa: Nuk e përçan askush LDK-në
“Asnjë përçarje në LDK nuk ka, sepse në LDK-në ne e shikojmë si tërësi, ndërkaq mendimet individuale janë mendime të lira të çdonjërit, dhe asnjëri nuk ka fuqinë që të ndikojë apo të riorientoj LDK-në. LDK e ka programin e vetë politik, ka qëndrimin e vetë, ka anëtarësinë e vetë. Ka degët, nëndegët të cilat e përkrahin politikën dhe vizionin e LDK-së dhe kjo është me rëndësi themelore. LDK është një parti shumë stabile, e organizuar në të g jitha komunat, në të gjitha degët e konsoliduar shumë mirë, e orientuar në mënyrë të qartë në programin politik të saj, dhe ne nuk flasim fare për përçarje, ne flasim për liri dhe mendimet politike, në suazat e programit të LDK-së të cilat i ka çdo anëtarë”, tha Mustafa.
I pari i LDK-së, që tani mban edhe postin e të parit të ekzekutivit tha se ishte LDK-ja së bashku me presidentin Rugova të cilët vunë qysh në fillim bazat e demokracisë, vunë bazat e një vendi shumë-partiak dhe demokraci shumë partiake.
LDK sipas Mustafës ishte po ashtu ajo parti e cila bashkë me presidentin Rugova vuri themelet shtetit të tanishëm të Kosovës.
Mustafa: Ne do të vazhdojmë vlerat e LDK-së
“….Sepse sot bëhen 26 vjet themelimi të partisë të parë me bazë demokratike të këtij vendi, e cila jo vetëm që dha impulse të demokracisë në Kosovë, por ndikoj edhe në regjion, në të gjitha viset shqiptare. Ishte presidenti Rugova, Lidhja Demokratike, ajo lëvizja e cila fillimisht vuri bazat e demokracisë, bazat e një vendi shumë partiak, demokracisë shumë partiake, vuri themelet e shtetit të tanishëm të shtetit të Kosovës. Ne jemi shumë falënderues për këtë, dhe ne dëshirojmë që të vazhdojmë rrugën fillestare të LDK-së, vlerat, traditat e LDK-së, të thellojmë bashkëpunimin me të gjitha partitë në mënyrë që Kosova të shkoj përpara, dhe veçmas bashkëpunimin me partitë e qendrës së djathtë të cilës familje në jemi tani, si partitë evropiane, e cila tani e kanë shumicën e qeverive evropiane dhe sot luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, social të zhvillimit të paqes dhe sigurisë edhe në Evropë dhe në Botë”, tha Mustafa përderisa bëri homazhe pranë varrit të ish – presidentit Rugova.
Duke folur për kontributin e is h – presidentit Rugova, personit që sipas Mustafës me mençurinë e tij dikur zgjidhi probleme të mëdha, tha se kanë për obligim që për këtë gjeneratë të gjejë zgjidhje për problemet që ekzistojnë tani.
Ai, përmbylli fjalinë e tij duke u shprehur i bindur që këto probleme do të zgjedhin./KosovaPress/