Fjalët e mira dhe të mëdha për partinë e tij, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i vazhdoi edhe gjatë ceremonisë që është organizuar për 26 vjetorin e themelimit. Frymën autentike të LDK-së dhe besimin për proceset e vendit Mustafa tha se është duke përçuar edhe në Qeveri, me të cilën po udhëheq tani.
Kjo Qeveri sipas tij duhet të shkojë në interesa jetike të Kosovës dhe nga ardhmëria e fëmijëve dhe qytetarëve të Kosovës, e cila është ardhmëria perëndimore.
Krejt këto Mustafa i lidhi me proceset dhe marrëveshjet që ka nënshkruar kohëve të fundit të cila po kundërshtohen fuqishëm nga tri partitë tjera opozitare në vend.
Ai ,kritikoi dhe njëherë veprimet e opozitës dhe gazin lotsjellës që kanë hedhur këta të fundit në Kuvendin e Kosovës. Tha, se opozita po pengon deputetët të kryejnë obligimet dhe detyrat që ju ka dhënë qytetari, e në mesin e atyre deputetëve janë edhe ata të LDK-së.
Për t’u ndalë kjo pengesë e deputetëve dhe për të vazhduar puna në Kuvend Mustafa ftoi opozitën që të dialogojnë.
“Udhëheqja e shtetit dhe qeverisja nënkupton lidership dhe ky lidership duhet të jetë i gatshëm që të merr vendime për vendin dhe qytetarët edhe për vendimet të cilat nuk janë të lehta edhe nuk janë ditore. Besojmë që Bashkim Evropian do të ju mundësoj qytetarëve të udhëtojnë të lirë dhe pa viza në shtetet e bashkimit Evropian”, tha Mustafa.