Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për pafajësi ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, në lidhje me çështjen e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë në tetor të këtij vit.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 5 vite burgim të ish-kreut të BSH-së, por çështja në Shkallën e Parë ishte mbyllur vetëm pas 3 seancave gjyqësore, duke e lënë Fullanin me më pak se dy javë në paraburgim, pavarësisht se hetimet nga institucioni i hetimit zgjatën rreth një vit.
Në vendimin e pafajësisë, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, argumentohej se në veprimet dhe mosveprimet e Fullanit si guvernator i Bankës së Shqipërisë, që ndikuan në vjedhjen e bankës, Prokuroria nuk ka mundur të gjejë lidhjen që ish-guvernatori ka me vjedhjen dhe për pasojë ai prezumohet i pafajshëm.
Lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës me dëm ekonomik për tenderin 30 milionë euro për blerjen e Hotel Dajtit, Gjykata argumentoi se Fullani nuk ka kryer vepër penale pasi hoteli, pavarësisht çmimit të transaksionit është një aset shtetëror.