Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me përfaqësuesin e FSK-së, Kreshnik Zeneli, sot në fshatin Netic kanë bërë ndarjen e pakove për familjet me fëmijë nevojtarë që i përkasin komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas.
Këto dhurata në prag të festave të fund vitit janë bërë nga buxheti i fondit të aktivitetit humanitar sportiv “Vrapo me FSK-në”, që ishte edhe motoja e atij organizimi për mbështetje të fëmijëve në nevojë.
Përveç dhuratave festive, 8 familje me 22 fëmijë deri në moshën 18 vjeçare të cilët janë në gjendje shumë të rëndë sociale, u janë dhënë edhe pako me veshmbathje të kompletuara dimërore si dhe pako ushqimore.
“Kjo është një dhuratë për fund vit për këto familje, mirëpo ndihma të tilla për këta familjarë nuk do të mungojnë as në pranverë”, ka thënë kryetarja Mimoza Kusari-Lila.
Siç dihet nga aktiviteti sportiv humanitar “Vrapo me FSK-në” janë mbledhur mbi katër mijë euro dhe për ndihma të tilla është nënshkruar memorandum ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe FSK-së.