Lajmet e fundit

Po, hapur, kundër “Zajednicës”!

Në debatet e këtyre ditëve kemi parë të pozicionuar oponionistë që kryesisht kritikojnë opozitën. Shumica e tyre relativizojnë me argumente të dobëta kur debatohet për marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për “Zajednicën”.

Nuk kontestohet assesi dialogu me një Serbi që nuk ndryshon asnjëherë politikat antishqiptare, përkundrazi i forcon ato. Në anën tjetër këta opinionistë që janë kryesisht të angazhuar me pagesë kritikën e bëjnë në kor, e veçmas kundër opozitës, e cila, sipas tyre, është fajtore që kundërshton “Zajednicën” me kartën nacionaliste e kundër serbëve. Assesi të dëgjojmë, shohim a lexojmë prej tyre një kritikë qytetarie ndaj “Zajednicës” si ide raciste e që vjen nga hegjemonia e shtetit serb.

Serbia ka një shef zyre për Kosovën, të cilën e emërtojnë sipas kushtetutës të Serbisë së Krajlave dhe Millosheviqit “Kosovë dhe Metohi”, Marko Gjuriqin. Pra Serbia ka në preambulën e Kushtetutës së saj emërtim të veçantë për Kosovën si pjesë të Serbisë.

Deklarata publike kërcënuese për qenien e shqiptarëve vijnë çdo ditë, si nga Serbia, si nga serbët e përzgjedhur nga regjimi serb e që janë në koalicion qeverisës me PDK-LDK-në. Kujtojmë deklaratën fashiste të ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq ku shqiptarët i quante “njerëz të egër”. Këtë politikë shoviniste e që burim ka qeverinë në Serbi e përcolli edhe Gjuriqi para disa ditëve ku tha se kaosi që po mbizotëron në Kosovë do ta fuqizojë popullin serb, pra theksoi që nëpërmes “Zajednicës”, e me ndihmën edhe të bashkësisë ndërkombëtare Serbia do të jetë më e fortë sesa ka qenë ndonjëherë në Kosovë. Për më shumë, ky shef zyre për Kosovë nën Serbi vazhdoi të qëndrojë te “beteja për Kosovën” e cila, sipas tij, nuk do të përfundojë asnjëherë dhe se “koha e serbëve do të vijë përsëri”.

Se cilën kohë kërkon Serbia të vijë për serbët, këtë e di secili shqiptar që reagon kundër “Zajednicës”. Secili shqiptar që e ka jetuar kërcënimin e Serbisë e që e jeton Kosovën dhe që nuk ia ka fare frikën ndonjë lufte të re me Serbinë. Reagimi i shqiptarit duhet të vijë si mbrojtje për të ardhmen e popullit të vet ndaj pasojave që i sjell një ide e tillë sikurse është “Zajednica”.

Nëse sovraniteti nënkupton pavarësinë dhe të drejtën e shtetit të qeverisë veten, “Zajednica” si marrëveshje e cenon direkt. Po nuk pati Kosova sovranitet, nuk mund të ketë as proces demokratik, as liri të shprehjes, as barazi para ligjit. E kundërshtuesit e “Zajednicës” mu këtë po e kërkojnë, Republikën e Barazisë. Atë republikë për të cilën qytetarët po përpiqen e po sakrifikohen vazhdimisht.

Të krahasosh se si flasin pushtetarët e si flasin kritikuesit e këtij pushteti ta jep përshtypjen sikur jetojmë në dy bota të ndryshme. Pushteti flet për një Kosovë ahtisariane me “Zajednicë”, duke e kamufluar si diçka që nuk e duan, por që iu imponohet nga të huajt, e në anën tjetër kundërshtuesit e “Zajednicës” po e jetojnë përditshmërinë në Kosovë dhe po kërkojnë çdo ditë më shumë të drejta kolektive dhe kundërshtojnë cenimin e këtyre të drejtave.

Pozicionimi “i paanshëm” i opinionistëve të cilëve nuk iu pengojnë fare deklaratat e Jabllanoviqit, as të Gjuriqit, as themelimi i një Liste Serbe që kërkon kthimin e Serbisë në Kosovë, është qëndrim hipokrit. Duket sikur nuk e jetojnë përditshmërinë e qytetarëve të Kosovës që duan të jetojnë të pavarur nga Serbia e Vuçiqëve e Daçiqëve. Kush dhe kur i ka pyetur ndonjëherë edhe vetë militantët, anëtarët e partive që dilnin me traktorë e vetura, se a e përkrahin dialogun e pakusht me Serbinë? A e përkrahin “Zajednicën”? Asnjëherë! Po, i është thënë këtij populli përsëritshëm “Mos lypni më shumë se ju e dini se si kemi qenë dikur”.

Kjo porosi që vjen kryesisht nga pushteti, e që përcillet nga opinionistët që kanë “uzurpuar” hapësirën mediatike e na thonë “hiqni dorë nga kërkesa”. E për më keq, të jetuarit e shqiptarëve nën Millosheviqin ia bëjnë krahasimin me të jetuarit e serbëve në Republikën e Kosovës se argument tjetër për përkrahje të kësaj marrëveshjeje kundër të ardhmes nuk ka ngelur.

Nëse kthejmë kokën nga Bosnja, ku projekti i “Zajednicës” u shndërrua në shtet brenda shtetit, shohim se sot u zgjodh si nënkryetare e kuvendit vajza e kriminelit Karagjiq. Pra kriminelët, spastruesit, ndoshta e humbën luftën por po e fitojnë paqen. E njëjta po ndodh tashmë edhe në Kosovë, ku po i vendosen rrugëve emra kriminelësh, ku po ngrihen statuja simbolesh çetnike, e ku po kthehen për vizita zyrtare komandantët ushtarakë që kanë dhënë urdhra për spastrimet më gjakësore që ka përjetuar populli ynë në dekadat e fundit.

Ky rehabilitim i krimeve dhe kriminelëve të Serbisë nuk mund të pranohet nga populli ynë. Reagimet popullore po shtypen me kërbaç policor, ashtu siç po shtypen edhe mendimet e lira me kërbaçin psikologjik që e përdorin opinionistët. Në këtë proces, për të gjitha ato që po ndodhin, përgjegjësia e opinionistëve është e barabartë me përgjegjësinë e policëve.

Autor :

Rilind Gervalla – Gazetarë

Leave a Reply

Your email address will not be published.