Deputetja më e votuar femër në Kosovë, Vjosa Osmani në një prononcim për Gazetën Blic e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se disa nga parimet e marrëveshjes së arritur në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe janë në kundërshtim me Kushtetutën. Deputetja e LDK-së thotë se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, parimet e marrëveshjes për Asociacionin që nuk janë në përputhje me Kushtetutën, janë të pazbatueshme.
Vjosa Osmani thotë për Gazetën Blic se pas këtij vendimi, duhet të marrë fund edhe kriza politike në Kosovë.
Kjo është deklarata e plotë e dhënë për Gazetën Blic:
Ende nuk kam pasur mundësi ta shikoj vendimin e plotë, por parimet e marrëveshjes për Asociacionin që nuk janë në përputhje me Kushtetutën, janë të pazbatueshme. Ato duhet të rregullohen në mënyrë që të arrihet përputhshmëria e plotë me aktin më të larte juridik, nëpërmjet statutit të asociacionit dhe dokumenteve të tjera përkatëse.
Pas këtij vendimi, edhe kriza politike do të duhej të merrte fund, sepse për demarkacionin do të ketë rivlerësim në një komision të ri, ndërkaq për Asociacionin kemi vendimin e gjykatës.
Vendimi poashtu dëshmon se gjatë bisedimeve në Bruksel duhet të ketë më shumë kujdes dhe përgjegjësi, sepse marrëveshjet që arrihen atje mund të kenë implikime kushtetuese dhe të cenojnë sovranitetin.