Lajmet e fundit

Adem Salihaj: Thaçi është i lidhur me krimin e organizuar, nuk do ta votoj për president

Arbesa Ibrahimi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, ka vlerësuar se zëvendëskryeministri i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është personi i duhur për t’u bërë President, ngase siç ai është shprehur, Thaçi është i involvuar në krim, raporton Gazeta Blic. Si rrjedhojë e kësaj, ai ka thënë, se i pari i PDK-së  nuk do ta ketë as votën e tij, e as të disa deputetëve të tjerë.

“Zgjedhja e presidentit të Kosovës do të jetë mjaft problematike. Siç dihet, tashmë disa deputetë kemi deklaruar se nuk do ta votojmë Thaçin për president. Pavaresisht marrëveshjes së koalicionit, ne i kemi parimet tona mbi të cilat nuk mundemi  të kalojmë. Thaçi,nuk është figura e duhur për president të Kosovës”, ka deklaruar ai për Gazetën Blic.

Sipas Salihajt, fitorja e tij do të jetë e dëmshme për vendin, ngase siç është shprehur ai, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është i përfshirë në krim të organizuar.

“Ai është njeri partiak dhe gjërat i sheh me dioptri partiake. Nuk mund të krijojë unitet, është i lidhur me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Pra, zgjedhja e tij do të ishte shumëfish e dëmshme për Kosovën. Lidhur me mundësinë e moszgjedhjes, dihet se vendi shkon me automatizëm në zgjedhje të parakohshme. Kjo parashihet me Kushtetutën e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, për dallim nga Salihaj, Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë dje, se marrëveshja mes koalicionit PDK-LDK për zgjedhjen e presidentit, duhet të zbatohet.

“Zgjedhja e Hashim Thaçit në pozitën e presidentit të Kosovës është një kusht politik që duhet përmbushur”, ka thënë mbrëmë Haziri, duke njoftuar se deputetët brenda këtij koalicioni, do t’ia sigurojnë të gjitha votat Thaçit.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, pati deklaruar se fitorja e Thaçit në këtë post, është e padiskutueshme.

“Besoj se gjithçka do të shkojë sipas marrëveshjes politike që kemi me koalicionin qeverisës dhe këtu s’ka ndonjë hapësirë për mëdyshje. Koalicioni i ka numrat dhe mbi të gjitha vullnetin për të ecur përpara me proceset që e presin. Andaj, z. Thaçi, nuk e ka problem për vota, as para qytetarëve e as para ligjvënësve”, pati deklaruar Grabovci.

Përndryshe, presidenti i ardhshëm i Kosovës, pritet të zgjedhet në shkurt të vitit të ardhshëm. Kurse, përpos deputetit Adem Salihaj, i cili ka theksuar se nuk do ta votojë Thaçin për president, të tillë janë edhe  Arben Gashi, Vjosa Osamani e disa deputetë të tjerë të LDK-së, të cilët e patën deklaruar të njëjtë gjë, lidhur me zgjedhjen për president të Hashim Thaçit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.