Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses i publikuar dje rikonfirmi edhe njëherë se veprimet e ndërmarra deri më tani nga ana e Qeverisë derivojnë nga marrëveshja e ratifikuar në Kuvend në vitin 2013.
“ Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi se marrëveshja e prillit 2013 e ratifikuar në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare është bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe kërkon formimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe. Gjykata Kushtetuese konfirmoi se formimi i asociacionit është në pajtueshmëri më ligjet e Kosovës”, ka thënë kryeministri Mustafa në mbledhjen e Qeverisë.
Ai tha se vendimi i Kushtetueses rikonfirmoi se veprimet e Qeverisë ishin në mbrojtje të rendit juridik të vendit.
“U rikonfirmua se Qeveria e Kosovës ka qenë këmbëngulëse që Kushtetuesja të përfshihet në aktgjykimin e marrëveshjes. Qeveria e Kosovës çmon vendimin e Kushtetueses dhe mbesim të përkushtuar detyrimet tona ligjore përball marrëveshjeve ndërkombëtare. Qeveria siguron se të gjitha hapat e mëtutjeshëm do të ndiqen nga konkluzionet e Kushtetueses”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri Mustafa ka ftuar gjithë spektrin politik përfshirë opozitën që të respektojnë vendimin e Kushtetueses.
“Është jetike për vendin që të kthehet normaliteti dhe dialogu në Kuvend. Konsiderojmë se nuk ka asnjë arsye për bllokim të Kuvendit dhe protesta në rrugë. Vendimi është i qartë. Veprimet e mëtutjeshme do të respektojnë parimet kushtetuese”, ka thënë Mustafa.