Falë fushatës së suksesshme gjatë muajve të verës dhe punës së palodhshme, është arritur që të bëhet regjistrimi i rreth 200.000 bashkatdhetarëve dhe kjo punë do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
Kështu ka deklaruar të enjten, ministri i Diasporës, Valon Murati në konferencën e fundvitit me gazetarë në të cilën i ka shpalosur objektivat e arritura të Ministrisë, veçanërisht një nga projektet më të rëndësishme procesin e regjistrimit të diasporës dhe mërgatës.
Ai ka deklaruar se procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017.
Sipas tij, në këtë proces do të përfshihen edhe ambasadat dhe konsullatat, në mënyrë që bashkatdhetarëve t’u bëhet më i lehtë regjistrimi i tyre, ndërsa në të ardhmen Ministria e Diaspores të përqendrohet edhe në regjistrimin “online”.
Me këtë rast është përmendur edhe marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe memorandumi i përbashkët Kosovë-Shqipëri për “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë” .
“Me nismën e MeD-së dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera është arritur të bëhet ulja e tarifës për sigurimin kufitar për 50 për qind. Synimi është të zgjidhet përfundimisht ky problem, për çka do të vazhdojmë të angazhohemi edhe në vitin 2016”, theksoi ministri Murati.
Sa i përket numrit të bizneseve jashtë vendit, ministri tha se me inicimin e Ministrisë së Diasporës janë themeluar 20 rrjete të bizneseve ne diasporë, të cilat kanë krijuar një strukturë të përbashkët, konkretisht rrjetin e përbashkët të bizneseve shqiptare në diasporë.
“Kemi vazhduar të punojmë në zgjerimin dhe forcimin e rrjeteve të bizneseve të diasporës, të jemi zëri i tyre në institucionet e shtetit. Si rezultat i angazhimit në këtë fushë, sot jemi pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në kuadër të të cilit e udhëheqim grupin e punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora”, ka deklaruar Murati.
Ai ka kërkuar përkrahje nga mediat për afirmimin e procesit të regjistrimit, si dhe sensibilizimin e bashkatdhetarëve për mësimin plotësues të gjuhës shqipe