Një burimi i portalit tesheshi.com informon se fonde nga buxheti i Kosovës në komunën e Leposaviqit dedikuar personave me gjendje të vështirë sociale, konkretisht nënave me fëmijë jetimë, janë çuar tjetërkund nga ana e kreut të kësaj komune, Dragan Jabllanoviqit, babait të ish-ministrit serb në qeverinë e Kosovës.
Sipas burimit, këto para Jabllanoviqi po i shpërndan në mënyrë të jashtëligjshme për përkrahësit partiakë dhe të afërmit e tij, duke ofruar shuma deri në 1000 euro për person.
“Këto para që janë duke u keqpërdoruar haptazi, përveç që janë nga buxheti i Kosovës, një shumë e madhe e tyre janë nga donacionet ndërkombëtare”, ka sqaruar burimi.
Ndërkohë që janë dhe qytetarë serbë të cilët i janë drejtuar portalittesheshi.com, duke i ofruar edhe listën e personave që janë shpërblyer jashtë çdo norme morale e ligjore nga ana e kryetarit të komunës, Dragan Jabllanoviq.
Dhe sipas burimit konfidencial të portalit tesheshi.com, të gjithë personat që në këtë listë janë nënvizuar me laps, janë anëtarë të partisë së Jabllanoviqit, pra SNS-së, e punëtorë të komunës.
“Dhe, të gjithë këtë njerëz që i kanë marrë këto ndihma nuk kanë pasuar nevojë për to, ndërsa personat që në realitet janë me gjendje të vështirë ekonomike, paratë e ndihmave nuk i kanë gëzuar”, ka thënë burimi duke kërkuar që në këtë çështje të involvohet edhe policia për hetime të keqpërdorimit të parasë publike.
Portali tesheshi.com përmes burimeve të veta ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre listave që njësia për ndihmë të rrezikuarve iu ka ofruar qytetarëve.
Burimi më tej ka shtuar se të gjitha paratë për miqtë partiakë dhe të afërmit e Jabllanoviqit, u janë shpërndarë atyre përmes dy bankave, Pro Credit Bank dhe Raiffaisen Bank.
Veç këtij rasti, Dragan Jabllanoviq dhe djali i tij, ish-ministri Aleksandar Jabllanoviq, nga bashkëpartiakët e tij në Leposaviq disa herë me radhë janë akuzuar për kurdisje të tenderëve.
Në këtë mënyrë, Jabllanoviqët janë akuzuar se kanë bërë miliona euro pasuri duke keqpërdoruar paratë e taksapaguesve kosovarë si dhe donacionet që arrijnë në këtë komunë nga ndërkombëtarët.
Sipas burimeve, Jabllanoviqët këto para i kanë shpenzuar në blerjen e një vile në vendim më turistik të Serbisë siç është Vrnjaçka Banja, por edhe blerjen e një jahti në bregdetin malazez.
Vlen të ceket se veriu i Kosovës, ku bën pjesë edhe komuna e Leposaviqit, pothuajse nuk kontribuon fare në buxhetit të Kosovës.
Pra, të gjitha parat e keqpërdorura nga Jabllanoviqët janë të taksapaguesve kosovarë nga pjesa e Kosovës jugore dhe qendrore.