Iniciativën e Nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dobërçan, për ta shkarkuar Isa Mustafën nga LDK-ja, analistët e shohin në mënyra të ndryshme, raporton Gazeta Blic. Disa prej tyre thonë, se kjo gjë nuk është e mundur dhe as e qëlluar, pasi sipas tyre, kjo po bëhet për qëllime të “klaneve” të caktuara, e jo për partinë ose vendin. Kurse disa të tjerë, kanë mendim ndryshe në lidhje me këtë aksion. Ata e shohin si një inicativë të duhur, e cila do të duhej që moti të vihej në funksion.
Xhemal Ahmeti: Kjo iniciativë nuk mund ta shkarkojë Isa Mustafën!
Njohësi i çështjeve politike, Xhemal Ahmeti, ka vlerësuar se iniciativa e kësaj nëndege nuk mund të jetë diçka që do të sjellë ndonjë rezultat.
“Nuk besoj se aksioni i Nëndegës së Dobërçanit do të shkaktojë ndonjë efekt në mbarë bazën e LDK-së, sa që të mblidhet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë, i cili është e vetmja instancë për shkarkime e emërime. Po aq, duket e pabesueshme që Isa Mustafa do të japë dorëheqje nga kjo pozitë që është. Nuk e gjejmë asnjë shenjë relevante brenda aksionit të Dobërçanit që mund të na bindë se Isa Mustafës i rrezikohet karrigeja.”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Sipas tij, brenda Lidhjes Demokratike ka të atillë persona, të cilët synim parësor e kanë ardhjen në krye të saj, ndërsa Isa Mustafa, siç ai është shprehur, është personi që e ka rimëkëmbur LDK-në.
“Veprime të kësaj natyre ka pasur edhe më herët. Në LDK veprojnë klane të ndryshme që synojnë ta kapin timonin e partisë. Kjo është manifestuar shpesh sidomos nga krahu i ish- kryetarit Sejdiu, i cili do që të kthehet me çdo kusht në krye të partisë. Mirëpo e kanë një problem të madh, ngase ishin pikërisht ata që e letargjizuan dhe defaktorizuan LDK-në deri në dhimbje dhe deshën apo jo, ishte pikërisht isa Mustafa që e ridinamizoi partinë, me një fjalë e nxori nga kriza”, ka shtuar Ahmeti.
Faik Krasniqi: Kjo iniciativë, padyshim që mund ta shkarkojë Isa Mustafën!
Ndërsa lidhur me këtë, ndryshe mendon analisti politik, Faik Krasniqi. Sipas tij, ky aksion është mjaft i qëlluar, madje, siç mendon ai, veprime të tilla është dashur të ndodhin qysh kohë më parë.
“Para dhjetë ditëve ka filluar një iniciativë edhe nga intelektualët, anëtarët dhe veprimtarët e LDK-së të viteve të 90-ta, për shkarkimin e Isa Mustafës nga kreu i LDK-së. Iniciativa e dytë për shkarkimin e tij, po vije edhe nga një nëndegë e fuqishme, dhe kjo është gjë pozitive, edhe pse një iniciativë e tillë është dashur shumë më herët të ndodhë, nga ndonjë Degë apo nëndegë e LDK-së, për shkarkimin e Isa Mustafës nga kreu i LDK-së”, ka deklaruar ai.
Faik Krasniqi më tej, ka vlerësuar se shkarkimi i Isa Mustafës mund të vie, vetëm se kësaj iniciative duhet t’i bashkohen edhe degët e tjera të LDK-së, në mënyrë që ta të arrijnë ta largojnë të parin e kësaj partie dhe në krye të saj ta sjellin një person të ri.
“Kjo iniciativë padyshim që mund ta shkarkojë Isa Mustafën. Vetëm se, të gjithë anëtarët dhe aktivistët e LDK-së, nga të gjitha Degët dhe nëndegët e LDK-së, duhet t’i bashkangjiten këtij peticioni për shkarkimin e tij dhe të kryesisë, në mënyrë që kjo parti të zgjedh një lider dhe kryesi të përgjegjshme, e jo të mbahet peng nga një grusht mjeranësh e pensionerësh, të cilët për interesa të ngushta e kanë shkatërruar këtë parti”, ka thënë ai.
Nëndega e LDK-së në Doberçan, ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta shkarkuar Isa Mustafën nga LDK-ja, pikërisht në 26 vjetorin e kësaj partie. Kjo pasi siç ka thënë kjo degë, i pari i LDK-së, përpos shkatërrimit të partisë, po e shkatërron edhe vendin. /Gazeta Blic/