Thirrjes së Kryeministrit Mustafa bërë opozitës, që të përfshihen në komisionet për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, i është përgjigjur negativisht Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas kësaj partie, përpjekja për kontrabandimin e marrëveshjes do ta thellojë edhe më shumë krizën
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka bërë thirrje opozitës të përfshihet në komisionet të cilat do të merren me hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Kësaj thirrjeje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është përgjigjur negativisht.
Zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj i ka thënë Expressit se kjo parti nuk do ta mbështesë kontrabandimin e marrëveshjes për AKS’në, si dhe pavarësisht ofertës për t’u përfshirë në hartimin e statutit, AAK nuk do të marrë pjesë.
“AAK nuk do ta mbështesë kontrabandimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht ofertës qe edhe opozita të jetë pjesë e do farë komisionesh”, ka deklaruar Nitaj.
Nitaj ka thënë se Qeveria nuk duhet ta procedojë hartimin e statutit të Asociacionit, pasi që kjo vetëm sa do ta thellojë krizën në vend.
“Qeveria nuk duhet ta procedojë hartimin e statutit të Asociacionit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se shumica e parimeve themelore të Marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me kushtetutën dhe çdo përpjekje për ta kontrabanduar marrëveshjen veç sa do ta thellojë krizën”, ka thënë ai.
Kësisoj, sipas Nitajt, marrëveshja shkel kushtetutën dhe AAK do ta kundërshtojë implementimin e saj me të gjitha mjetet.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një momentum të ri politik dhe do të ishte fatkeqësi e Mustafës dhe Thaçit nëse nuk e kuptojnë këtë”, ka shtuar Nitaj .