Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se protesta e djeshme kishte dy kërkesa: Largimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe shndërrimin e ndërmarrjes “Trepça” në ndërmarrje publike.
“Pas protestës së djeshme po marrim raporte nga qendrat e VV-së dhe subjektet tjera pjesëmarrëse në protestë dhe informacione mbi të arrestuarit dhe të lënduarit. Protesta kishte dy kërkesa: e para shkarkimi i Jabllanoviqit dhe e dyta, mbrojtja e Trepçës përmes një ligji që do të bënte këtë ndërmarrje, publike. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë nuk po na mbetet asgjë nga Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kurti ka përsëritur faktin se ministri Jabllanoviq i ka quajtur nënat gjakovare dhe protestuesit në Gjakovë “egërsira” dhe kjo gjithsesi nuk mund të tejkalohet.
“Këta që na mohojnë historinë dhe sulmojnë ekonominë po na refuzojnë qenien tonë. Një ministër i tillë nuk do të duhej të qëndronte as në Qeverinë e Serbisë e jo më në të Kosovës”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për shtyp.
Më herët Kurti në një intervistë dhënë ekipit të Klan Kosovës e dedikuar televizionit tiranas, ABC News, nuk deshi asessi të krahasojë dhunën ndaj civilëve me atë ndaj policisë.
Kreu i Vetëvendosjes tha se “nuk e kishte paramenduar një trazirë të tillë të martën, por policia” sipas tij “ishte ajo qe e kishte planifikuar të ushtrojë dhunë ndaj protestuesve”.
Ai paralajmëroi se “shumë shpejt do të organizohet edhe një protestë e radhës me qëllim të njëjtë, siç është shkarkimi i Jabllanoviqit dhe futja në fuqi e Ligjit për Trepçën, që do ta bënte atë ndërmarrje publike”.