Besimtarët e fesë katolike në Kosovë, këtë mesnatë, të prirë nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, po mbajnë Meshën e Vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë. Në meshën kryesore po marrin pjesë besimtarë katolikë, ndër ta edhe personalitete të njohura për opinionin.
Në fjalën e tij Imzot Dodë Gjergji, tha se gjatë katër javëve të fundit besimtarët katolikë janë përgatitur që të marrin pjesë në këtë kremtim të madh, në mënyrë që denjësisht ta japin lajmin vullnetmirë, se Zoti ka vizituar popullin e tij.
Gjergji vazhdoi më tej duke bërë thirrje për bashkim, dialog dhe rezistencë kundër së keqes. Ai tha se për gjendjen e krijuar në vend edhe Ipeshkvia e Kosovës ndihet bashkëfajtore, siç tha ai, në nivelin e përgjegjësisë qytetare.
“Për këtë gjendje të krijuar ndihemi edhe ne bashkëfajtor në nivelin e përgjegjësisë qytetare. Duam të konstatojmë se vazhdimi në këtë logjikë krijon anarki, lë në mjerim qytetarin, e ngrin respektin e miqve, dëshpëron të gjithë qytetarët, paaftëson shtetin”, tha ai.
Imzot Dodë Gjergji theksoi se ata që janë përgjegjës për zbatimin e ligjit, është mirë ta kryejnë obligimin e tyre dhe se përdorimi i muskujve të shtetit tejforcon pushtetin derisa ligështon mendjen e atyre që kundërshtojnë. Sipas tij, pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar nuk ka të ardhme në vendin tonë.
“Përdorimi i forcës së muskujve të shtetit para forcës së argumentit e tejforcon pushtetin dhe e ligështon mendjen dhe zemrën e atyre që kundërshtojnë. Pa dialog nuk ka të ardhme për këtë vend. Pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar nuk ka të ardhme”, theksoi ai.
Ndërsa, për shpalljen e Nënës Terezë shenjtore nga ana e Vatikanit vitin e ardhshëm, ai tha se viti i ardhshëm është vit i mëshirës dhe hirit për të gjithë botën, pasi te Zoti do të mund të lutemi edhe shqip.
“Me shpalljen shenjtë të Nënë Terëzës, viti ardhshëm që është vit i mëshirës, do jetë vit hiri për të gjithë botën, jo vetëm për ne, pasi tek Zoti mund të lutemi edhe shqip”, potencoi Imzot Gjergji.
Sipas tij, po t’i ngjajmë vetëm pak Nënës Terezë, atëherë do të kishte më shumë barazi dhe situata do të ishte ndryshe.
“Po t’i ngjanim vetëm pak Nënë Terezës, të varfrit nuk do të vareshin nga sociali që më shumë i poshtëron se i ndihmon, të rinjtë nuk do të detyroheshin të shkonin në skajin tjetër të botës për të luftuar dhe nuk do të kishte urrejtje, Donjeta e re nuk do ta linte familjen e saj. Por, edhe djali i ri Ylberi nuk do të varrosej sot”, tha ai.
Imzot Gjergji vazhdoi duke thënë: “Nuk mund të heshtim me gjendjen në vend, kur shohim se si keqpërdoret liria duke u marrë vetëm si privilegj i disave dhe jo si e mirë e përgjithshme.”
Ai nuk la pa kritikuar edhe partitë politike, duke thënë se mënyrat se si ata veprojnë kanë kaluar format e shprehjes së demokracisë.
“Po ashtu shohim se si përgjegjësit e partive politike për të mbajtur pushtetin shkelin kodin e marrëdhënies në përgjithësi, kjo mënyrë ka tejlakuar format e demokracisë”, theksoi.
“Ka të tillë që fshihen para ligjit për të mbuluar dështimet e veta.”
Besimtarët e fesë katolike do të kenë rastin që nesër të marrin pjesë në dy mesha për Krishtlindjet në Kishën e Shën Ndout, në Ulpianë të Prishtinës, në ora 11:00 dhe 18:00.