Në Spanjë po flitet gjithnjë e më tepër për një rikthim të mundshëm të tij në stolin e Real Madrid, por të pakta janë shanset që Jose Mourinho të jetë sërish trajneri i “Los Blancos”.
Nëse merret mendimi i tifozëve të Realit pjesa më e madhe e tyre nuk e preferojnë rikthimin e Special One.
Në një sondazh të realizuar nga e përditshmja madrilene “Marca” 52% e votuesve nuk duan që Mourinho të marrë drejtimin e Realit. Vetëm 48% e fansave e shikojnë me sy të mirë rikthimin në stol të trajnerit portugez.
Mourinho, i cili u largua nga drejtimi i Real Madrid 2 vite e gjysmë më parë, nuk kishte një raport të shkëlqyer me futbollistët më të mirë të ekipit dhe kjo ishte një nga faktorët kryesorë që luzitani u largua nga klubi merengues.
3 trofe fitoi ish trajneri i Chelsea-it në krye të Los Blancos por 52-vjecari nga Setubali asnjëherë nuk arriti të fitonte zemrat e tifozëve të Realit, dhe kjo është një nga arsyet që shumica e tyre nuk e duan rikthimin e tij. Nëse do të bëhej fjalë për Carlo Ancelottin me siguri që tifozët e “Los Blancos” do të mendonin ndryshe.
Pak ditë më parë presidenti Perez konfirmoi trajnerin aktual Rafa Benitez, por nëse drejtuesit do të vendosin në fund të sezonit për largimin e spanjollit vështirë se drejtimin e klubit do të marrë Mourinho.
Në këtë mënyrë duke u bazuar edhe tek ajo që raporton “Marca” dy alternativa për tu ulur në stolin e Real Madridit sezonin e ardhshëm janë ato të dy italianëve Antonio Conte dhe Fabio Capello.