Lajmet e fundit

VV Ferizaj: Qeverisja e 2015-së në këtë komunë e dështuar

Nëse qeverisja e Komunës vlerësohet nga ligjshmëria e veprimeve, realizimi i të hyrave publike dhe shfrytëzimi i drejtë i tyre, nga zhvillimi ekonomik, punësimi, e deri tek ngritja e mirëqenies së qytetarëve të saj në përgjithësi, atëherë me plotë të drejtë mund të konstatojmë se viti 2015 për Ferizajn ka qenë vit i dështuar, thuhet në njoftimin e VV-së dega Ferizaj.

Sipas premtimeve të kryetarit Sfarqa, viti 2015, Komunën e Ferizajt, do të duhej ta gjente me më së paku 1.500 qytetarë të punësuar, që nga koha e marrjes së mandatit të tij, dhe atë kryesisht në sektorin e bujqësisë, pastaj nga investimet e huaja në zonat e destinuara për zhvillim, e deri tek përkrahja e bizneseve të vogla dhe të mesme. Por sipas të dhënave, asnjë nga këto premtime elektorale nuk janë realizuar

Nga mbi 4 milionë e 204 mijë euro të planifikuara si të hyra vetanake, deri në fund të muajit shtator janë realizuar vetëm 2 milionë e 369 mijë euro, edhe pse ditë më parë Drejtoria për Financa e Komunës së Ferizajt doli me disa të dhëna se deri më tash kanë mbetur pa u inkasuar diku rreth 500 mijë euro. Inkasim të ulët në kuptim të planifikimit kemi nga e hyra kryesore, konkretisht nga tatimi në pronë, pastaj tek të hyrat nga qiratë, si dhe nga pagesat në lidhje me automjetet. Nga të gjitha këto, vetëm rreth 50% të realizimit deri në fund të muajit shtator.

Vërejtjet tona kanë qenë dhe janë tek shpërndarja e buxhetit nëpër kategoritë e ndryshme ekonomike, ndarje kjo e cila nuk mundëson zhvillim dhe mirëqenie të qytetareve të Komunës së Ferizajt. Sepse një ndarje e madhe e buxhetit, diku rreth 1 milion euro, shkon në kategorinë “mallra dhe shërbime”, ndërsa tek kategoria e subvencioneve vetëm 553 mijë euro. Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari ka vetëm rreth 177 mijë euro subvencione, e që bie ndesh edhe me premtimin elektoral të kryetarit Sfarqa, kur premtonte 1 milion e 300 mijë euro për këtë kategori. Për ironi të kësaj, tek Zyra e Kryetarit kemi 39 mijë euro subvencion, ndërsa tek Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Drejtoria për Shërbime Sociale, në të dy këto drejtori kemi zero subvencion. Po ashtu, diku rreth 300 mijë euro për këtë vit kemi suficit buxhetor. Kjo tepricë buxhetore tregon për paaftësinë e kësaj qeverie në menaxhimin e buxhetit.

Nëse e marrim parasysh “planin 14 pikësh” të Kryetarit Sfarqa, që ka dalë në fillim të këtij viti, e që kishte të bëje me ngritje të mirëqenies, shkurtime buxhetore në kategori të caktuara, e deri te zhvillimi ekonomik i komunës në përgjithësi, del që ka qenë edhe një mashtrim i radhës nga ana e Kryetarit. Sepse nëse i shikojmë pikat që ka ngërthyer ky plan, me atë se çka është vepruar në realitet, dhe nga shpërndarja e buxhetit në kategori të caktuara, lirisht mund të themi se kjo qeveri nuk është qeveri për zhvillim të komunës, por qeveri e luksit, thuhet në njoftim

Leave a Reply

Your email address will not be published.