Masakrat e fundit më Paris dhe San Bernardino të Kalifornisë, treguan edhe një herë aftësinë e Shtetit Islamik që të bëjë për vete myslimanët e zhgënjyer. Duke përdorur një miks letrarizmi nga tekstet e shenjta dhe një garanci hipokrite, grupi ekstremist ka arritur të joshë të rinj dhe të reja nga Pakistani e deri në Belgjikë, që t’i betohen për besnikëri atij dhe të angazhohen në akte dhune në emër të tij.
Kjo është arsyeja se përse ideologjia fetare e Shtetit Islamik duhet marrë seriozisht. Ndërkohë që është e gabuar të pretendohet dhe mënyra e të menduarit e grupit që përfaqëson Islamin e zakonshëm, gjë të cilën e bëjnë shpesh islamofobët; është gjithashtu e gabuar të pretendohet se Shteti Islamik “nuk ka aspak të bëjë me Islamin”, sikurse iu pëlqen të thonë disa myslimanëve të shqetësuar nga Islamofobia. Në të vërtetë, liderët xhihadistë bazohen te mendimi dhe mësimet islamike, edhe pse i përdorin njohuritë e tyre për qëllime perverse dhe brutale.
Një vend i mirë për të kuptuar doktrinën e Shtetit Islamik është të lexosh “Dabiq”, revistën dixhitale në gjuhë angleze, të cilën grupi e publikon çdo muaj. Një prej copëzave më rrëqethëse që kam parë në të ishte një artikull prej 18 faqesh i publikuar në mars, me titull “Irja’: Bid’ah më i rrezikshëm”, ose herezia.
Në rast se nuk ke paksa njohuri për teologjinë mesjetare islamike, ndoshta nuk e kupton dot se çdo të thotë irja. Fjala përkthehet fjalë për fjalë “të shtysh” “të lësh për më vonë”. Ai ishte një parim teologjik i nxjerrë nga disa studiues myslimanë gjatë shekullit të parë të Islamit. Në atë kohë, bota myslimane ishte përfshirë nga një luftë e madhe civile, teksa sunitët dhe shiitët e parë po luftonin për pushtet, dhe një grup i tretë i quajtur Khawarij (disidentët) i përqeshnin të dyja palët. Përballë këtij kaosi të përgjakshëm, propozuesit e irjas thanë se çështja më e rëndësishme se kush është një mysliman i vërtetë duhet të “shtyhet” deri në jetën e përtejshme. Edhe një mysliman që i ka braktisur të gjitha praktikat fetare dhe ka bërë shumë mëkate, arsyetuan ata, nuk duhet të denoncohet si një “femohues”. Besimi është një çështje zemre, diçka që vetëm Zoti – jo qeniet e tjera njerëzore – mund ta vlerësojë.
Studiuesit që e nxorën këtë u bënë të njohur si “murjia,” përkrahësit e irjas, ose thjesht, “shtyrësit”. Teologjia që skicuan ata mund të kishte qenë baza për një Islam tolerant, joshtrëngues dhe pluralist – një liberalizëm Islamik. Fatkeqësisht, ata nuk patën ndikim të mjaftueshëm në botën myslimane. Kjo rrymë mendimi u zhduk shpejt dhe në kujtesën e ortodoksisë suite mbahen mend vetëm si një sekt i hershëm heretik. Murija la një shenjë në pjesën më të butë të islamit sunit, që përfaqësohet nga Hanafi-Maturidismi, që është më i njohur në Ballkan, Turqi dhe në Azinë Qendrore, por sot virtualisht nuk ka asnjë grup mysliman që ta identifikojë veten me murijan. Fjala irja rrallëherë dëgjohet në diskutimet për teologjinë islamike.
Kështu që, pse është kaq i alarmuar Shteti Islamik nga kjo “herezi” e vjetër? Përgjigja për këtë pyetje mund të gjendet te vetë artikulli i Dabiq, ku autorët i akuzojnë grupet e tjera islamike rebele në Siri për irjan. “Këto fraksione nuk qeverisin në bazë të Sharias, pavarësisht se kontrollojnë territore të ‘çliruara’”, theksonin me të madhe shkruesit e Shtetit Islamik. Me pak fjalë, ata nuk i vrasin “femohuesit”, nuk përdorin ndëshkimet trupore, dhe nuk i detyrojnë gratë që të mbulohen nga koka deri te këmbët.
Grupet të cilat Shteti Islamik i akuzon për irja – shumë prej tyre islamikë konservatorë – ndoshta nuk do ta pranonin këtë krahasim. Edhe në librat e tyre të shenjtë irja, sipas të gjitha gjasave, paraqitet si herezi. Por duhet të pranojmë se duke e “shtyrë” imponimin e fesë dhe ndëshkimin e mëkatarëve, ata janë angazhuar de facto në irja. Ndoshta jo për shkak të parimeve, por për arsye pragmatizmi.
Në fakt, ka qindra milionë myslimanë anembanë botës që janë gjithashtu të angazhuar në irja, edhe nëse ata nuk e njohin këtë term. Disa prej tyre janë të fokusuar te Kurani, në vend të Sharias mesjetare, dhe bazohen te vargu i Kuranit që thotë: “Nuk ka asnjë detyrim në fe”. Myslimanë të tjerë janë nën ndikimin kulturor të liberalizmit perëndimor. Të tjerë nën ndikimin e Sufizmit, dega mistike e Islamit, i cili përqendrohet më tepër te mëshira e vullnetshme e individit më shumë sesa të zbatimi strikt i rregullave dhe ligjeve. Duke e dënuar irjan, Shteti Islamik shenjestron gjithashtu këta myslimanë të butë. Ata janë të vetmit, shkruan “Dabiq”, të cilët “e kthejnë Islamin në një pohim të thjeshtë pa realitet”. Atyre iu duhet kujtuar se “mëshira dhe falja e Allahut nuk është një justifikim për të bërë mëkate”.
Si njëri prej këtyre myslimanëve, iu bëj thirrje bashkëfetarëve të mi që e mendojnë si unë, që ta mbajnë distinktivin e irjas me krenari dhe me një ndërgjegje të rigjallëruar. E kemi humbur këtë teologji më shumë se njëmijë vjet më parë, por kemi dëshpërimisht nevojë për të, ose për t’i dhënë fund si luftës sonë civile, ashtu edhe asaj fetare, dhe të vendosim lirinë për të gjithë.
I ndërgjegjshëm se irja është kundërhelmi i tij teologjik, Shteti Islamik e paraqet atë si një mungesë mëshire fetare. Por ajo është në të vërtetë mëshirë e kombinuar me përunjësi – përunjësia që vjen nga nderimi ndaj Zotit si i vetmi gjykatës i njeriut. Nga ana tjetër, zelli i Shtetit Islamik për të diktuar, të cilin ai e paraqet si mëshirë, duket se udhëhiqet nga arroganca – arroganca e të gjykuarit të gjithë njerëzit e tjerë, dhe të pretendojë pushtet mbi ta në emër të Zotit.