Lajmet e fundit

Furtuna në gotë e medaljeve prej teneqeje

Nga Artur Zheji

Në të vërtetë, filozofia e “Re” e kapitalizmit është ende në paradhomën e trurit të shumicës dërmuese të 50-vjeçarëve të sotëm. Medaljokracia e dikurshme, ose e thënë ndryshe mirënjohja zyrtare e shtetit, për të “mirët” e Partisë, ndërkohë që të “këqinjtë” e Partisë, që ishin automatikisht edhe “armiqtë” e Atdheut, rraseshin burgjeve, duket se, duke shqyrtuar polemikat e fundit, kjo Medaljokraci nuk vdiska dhe paska 7 shpirtra.

Duke qenë se, ashtu si edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve, jam edhe unë “një produkt social” i dyzuar, me një baba antikomunist dhe të persekutuar dhe një nënë komuniste e motër dëshmori, që nuk e tradhtoi apo nuk e tjetërsoi kurrë, sa ishte gjallë, kultin e Luftës Nacional Çlirimtare dhe adhurimin për vëllain e saj, dajën tim pra, 17-vjeçar të vrarë në betejën e Brar Tujanit në Janarin e largët të vitit 1944, kam pasur pra rastin, të studioj, si të isha vetë një kavie sociale, përplasjen e thellë të këtyre botëve, kaq antagoniste të Fshatit shqiptar.

Në këtë eksperiencë, “shpika” apo përshtata një “Formulë” të personalizuar gjykimi.

Komunizmi dhe ajo që u shit si një punë ndërtimtare drejt një Bote të Re, kishte dy tipare;

Ishte një Utopi, e themeluar në Perëndim, nga Saint-Simon e deri tek Karl Marksi, si një analizë dhe si një romantikë e mrekullueshme, kundër kapitalizmit të egër dhe çnjerëzor të shekujve 18 dhe 19.

Utopi e cila, e aplikuar si një model shoqëror dhe si një organizim i shtetit, prodhonte në të vërtetë diktatura të zymta, ekonomikisht dështake dhe populli  ndryhej kësisoj, tanimë kundër vullnetit të tij, në një geto të stërmadhe drejtuar në fund të fundit, nga një Kastë e lapërdhosur hipokritësh, që grinin sallatë në emër të popullit, por nuk se ishin në thelb populldashës, përbërë më së shumti nga meskinë dhe dritëshkurtër.

Në eksperiencën e mëtejshme mësova dhe kolaudova kulturalisht “formulën” time të analizës, duke shtuar në të, nevojën për retorikë që ka politika mediokre e vendeve postkomuniste, që ngre kësisoj Barrikada revolucionare apo antirevolucionare, me zhurmë dhe me daulle të mëdha.

Daulle antikomuniste, nga njëra anë dhe Daulle veteranësh, nga ana tjetër.

Qëllimi?!

Vota dhe mbjellja e iluzioneve se “lufta vazhdon!”

Cila luftë vazhdon në të vërtetë?

Sigurisht, e vetmja luftë që vazhdon realisht, është lufta për pushtet. Dhe kjo luftë ka nevojë për ngjyrime romantike, që të mbulojë me vernik të freskët bojën e zvjerdhur të një Magna Carta të munguar, të Qëllimeve vërtet të Mëdha, për të nxjerrë këto skërkat shqiptare nga varfëria dhe skamja e tyre e thellë dhe padrejtësisht, krejt padrejtësisht të tillë.

Medaljet shqiptare, ato të vjetrat që njoh, nga sirtarët e nënës dhe gjyshes sime, ishin të ndritshme dhe mbaheshin si të rëndësishme, por njëkohësisht ishin prej teneqeje të punuar dhe nuk shoqëroheshin me asnjë bonus financiar.

Sot e ka shumë më mirë punën, kush ruajti sepeteve ndonjë tapi turke që pashallarët u jepnin kurtizaneve të tyre apo eunukëve dhe shërbëtorëve, apo ndonjë tapi mbretnie, që në dritën e kulturës së tapive shqiptare, ka padyshim plot të tilla, që janë prona të grabitura nga më të fortët afër Mbretit, ndaj qyqarëve, apo thjesht më të dobtëve.

Sot e ka më mirë punën kush ishte dje, bashkëpunëtor i Sigurimit dhe e ruajti atë kartë anëtarësimi, si një certifikatë të privilegjuar të një tashmë Sekti, anëtarët e të cilit mbronin dhe mbrojnë dhe promovojnë njëri-tjetrin, ngado e kurdo. E për të rrëmbyer më pas prona dhe për të bërë karrierë politike. Pavarësisht medaljeve prej teneqeje, që kanë apo nuk kanë.

Kjo është Shqipëria. Sepse kështu e bënë shqiptarët.

Të paktën të shmangim këto furtuna dhe betejat e dala boje, për medaljet. Sepse ato medaljet, nuk janë më pjesë reale e betejave reale që duhet të bëjë sot politika. Por janë thjesht lëndë për betejat e historianëve. Të atyre historianëve të papunë dhe ata, që ndonëse Shqipëria është një Thesar Historik në qiell të hapur, me mozaikë mijëravjeçarë dhe objekte historike të paçmuara që vazhdojnë të vidhen apo të tjetërsohen, të atyre historianëve pra, që mund të lënë mënjanë monedhat e Jul Cezarit, për teneqet komuniste apo postkomuniste.

Bah!…

Leave a Reply

Your email address will not be published.