Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se opozita nuk ka asnjë arsyeje për organizimin e protestave të fuqishme, pasi nuk e ka përkrahjen e qytetarëve, deris tha se Thaçi do të zgjidhet president.
Kryeministri i vendit edhe njëherë ka deklaruar se opozita nuk ka arsyeje për organizimin e protestave të fuqishme pasi nuk e ka as përkrahjen e fuqishme të qytetarëve. Ai tha se koalicioni PDK-LDK është stabil dhe do t’i përmbahet marrëveshjes që zëvendëskryeministri i Kosovës, Hasim Thaçi njëherit kryetar i PDK do të zgjidhet president vitin e ardhshëm.
“Opozita nuk ka arsye për të protestuar, aq më pak mund të bëjë protesta të fuqishme, pasi është parë se, nuk ka përkrahje të qytetarëve për kërkesat që ata kanë. Ato kërkesa janë sqaruar nga organet më të larta të vendit. Unë mendoj që opozita duhet të hyjë në kuvend, të marrë pjesë në dialogun demokratik, që të japë vërejtjet dhe mendimin e saj në procedura parlamentare. Mund të bëjë edhe protesta , por protesta paqësore , pasi ato janë të lejuara me Kushtetutë dhe ligj dhe askush nuk do t’i pengojë”, tha ai në Prizren.
“Ne do ta respektojmë këtë marrëveshje dhe mendoj se Thaçi do të jetë kryetar i Kosovës në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke folur rreth respektimit të marrëveshjes që ka arritur me partnerin e koalicionit qeverisës, PDK-në që Thaçi të marr drejtimin e Presidencës në fillim të vitit 2016.
Kurse, duke folur rreth përçarjeve në LDK-në e degës së Prizrenit , Mustafa tha se nuk ndërhyn në punët e degës. “Kërkojmë që dega të jetë e fortë dhe të ketë raporte të brendshme të mira dhe çështjet e degës të zgjidhen në suaza të anëtarësisë. Të gjithë duhet të respektojnë politikat e LDK-së ato për të cilat kuvendi është përcaktuar”, tha ai në Prizren, i cili mori pjesën në hapjen e zyrës së re të Degës së LDK-së.