Përfaqësues të subjekteve opozitare kanë vlerësuar se roli i Kuvendit të Kosovës përkitazi me marrëveshjen e fundit të arritur në Bruksel për sistemin e drejtësisë në veri do të jetë vetëm formal, pasi që organi më i lartë vendimmarrës vetëm se do t’i bëjë ‘amin’ dokumentit të nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa.
Ata kanë paralajmëruar kundërshtimin e kësaj Marrëveshjeje si në Kuvend ashtu edhe në forume të tjera, duke mos përjashtuar as protestat e mundshme në shesh, shkruan sot Koha Ditore.
“Roli i Kuvendit do të jetë vetëm që t’i çojë përpara vendimet e dëmshme të kësaj Qeverie, të dakorduara në negociata. Të gjitha këto deklarata të qeveritarëve janë mashtrim i radhës dhe sigurisht se do t’i kundërshtojmë qoftë nëpërmjet Kuvendit, qoftë duke i përdorur mjetet e tjera ligjore dhe institucionale”, ka thënë deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu.
Ajo ka theksuar se nuk i beson deklaratave të dhëna nga zyrtarët shtetërorë se marrëveshja për drejtësinë dhe gjyqësorin në veri është në përputhje me ligjet e Kosovës.
Ndërkaq, lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka konsideruar se dialogu duhet të zhvillohet me parime dhe duke i vendosur kushte Serbisë.
Duke u ndërlidhur me rastin Jablanoviq, Kurti ka shpjeguar se betejat e VV-së në Kuvendin e Kosovës kombinohen edhe me protestat në shesh, ngase vetëm në këtë mënyrë përçohet zëri i qytetarëve te qeveritarët e papërgjegjshëm.
Lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore artikullin e plotë, ku flitet edhe për atë se kush thotë se Ligji i veçantë mbi “Trepçën” është më i nevojshëm se dialogu me Serbinë, për shqetësimin e AAK-së për nxitimin që të arrihet marrëveshja për drejtësinë, e për atë që thonë institucionet shtetërore thonë se marrëveshja krijon sistem unik të drejtësisë.