Lajmet e fundit

Ushtria Mbretërore Shqiptare që deshi të bashkonte trojet në vitet ‘70

Mbreti Leka, i njohur ndryshe nga mediet botërore si mbreti pa kurorë, në vitet e ’70-ta pati krijuar Këshillin Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, me synim që të bashkonte trojet shqiptare. Kjo si nismë thuhet të ketë pasur rrjet të ushtarëve edhe në Kosovë.

Në një fotografi e cila është shpërndarë këto ditë në rrjete sociale, shihen duke ushtruar ushtarë të këtij formacione dhe Mbreti Leka I.

“Si përfaqësuesi eminent i Kauzës së Rilindjes Kombëtare dhe pinjoll i gjyshërve të tij Xhemal dhe Xhelal Pasha, (që ishin ndër më të shquarit pashallarë që ideuan dhe jetësuan Kuvendin dhe vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), ishte njëkohësisht edhe figura qëndrore dhe drejtuese e Ushtrisë Kombëtare dhe e Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike”, shkruhet në faqen zyrtare të Familjes Mbretërore Shqiptare.

Aty më tej thuhet se në fillim të viteve ‘70, kur Këshilli Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike – Lëvizja Çlirimtare në Shqipëri, që përfaqësohet nga Leka I, Mbreti i Shqiptarëve – filloi të krijojë një rreth informativ në zonat shqiptare në Jugosllavi (përkatësisht në Kosovë) si një urë për të penetruar në Shqipërinë politike, d.m.th. në Shqipërinë me kufijtë e sotshëm.

“Veprimtaria e Këshillit Ushtarak i dha rast popullit të Kosovës që të shprehë ndjenjat e veta nacionaliste, me anë të një veprimtarie ndërtuese duke luftuar regjimin e tanishëm të Tiranës. Ata ishin plotësisht të vetëdijshëm se duke çliruar Shqipërinë, mundësitë për ribashkim me atdheun do të shtoheshin në mënyrë të dukshme dhe ribashkimi do të arrihej”, shkruhet më pas në faqen e Familjes Mbretërore Shqiptare.

Ndërsa vetëm pak kohë para vdekjes së Josip Broz Titos, siç thuhet nga familja mbretërore, organizatat e influencuara dhe të kontrolluara nga Bashkimi Sovjetik në Kosovë, filluan veprimtaritë e tyre militante, duke u përcjellë edhe nga disa anëtarë të qeverisë së Tiranës kishin filluar të politizonin klasën intelektuale të shqiptarëve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.