Nga Shkëlzen Rrecaj
Në këtë vit që po e lemë u bënë plot 30 vjet prej se lexuesi shqiptar ka në duar përkthimin në tërësi të Kur`anit në gjuhën shqipe, të përkthyer nga Feti Mehdiu. Kjo ndodhte për herë të parë në historinë e kulturës shqiptare.
Për nder të kësaj ngjarjeje, Bashkësia Islame e Kosovës organizoi sesion shkencor “Kurani te Shqiptarët”, ku morrën pjesë shumë studiues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.
Ndër shumë kumtesat, u veçuan: “Kontributi i përkthyesit të parë (F.M.) për afirmimin e Kur’ani Kerimit te shqiptarët- dimensioni historiko-teorik” nga Liridon Kadriu si dhe “Letërsia Alhamiade Shqipe dhe Kur’ani” nga Imer Topanica.
Në kumtesën e tij, Liridon Kadriu ka thënë se në vitet e 80-ta kur shqiptarët myslimanë kishin nevojën imediate që edhe ata të kishin librin e shenjtë në gjuhën amtare, një i ri nga Kërçova qysh para më shumë se 30 vjetëve i futet me përkushtim të madh përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe. Pikërisht në vitin 1985 botohet përkthimi i parë i plotë i Kur’anit në gjuhën shqipe nga Feti Mehdiu – aso kohe ligjërues i gjuhës arabe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Ai shtoi se me përkthimin e Kur’anit, akademik Mehdiu dha një kontribut të çmuar edhe në afirmimin e Kur’ani Kerimit te shqiptarët, duke thekuar se prof. Mehdiu përveç përkthimit të Kur’anit ka botuar me dhjetëra libra dhe është autor i qindra punimeve, artikujve që në mënyrë direkte apo indirekte lidhen me Kur’anin. Ai është pjesëmarrës i dhjetëra simpoziumeve shkencore të rëndësisë ndërkombëtare kushtuar përkthimit të Kur’anit në gjuhët botërore. Me punën e tij gati gjysmë shekullore padyshim që është njëri ndër autorët më te begatë në hapësirën mbarë shqiptare.
“Në vitin 1985, u arrit kulminacioni i momentit historik i afirmimit të Kur`anit në kulturën islame te shqiptarët. Për here të pare shqiptarët e kanë në gjuhën e tyre përkthimin në tërësi të Librit të tyre të shenjtë. Kjo ishte një ngjarje historike për kulturën islame te shqiptarët.
A e ishte e lehtë të përkthehet dhe të bëhet propagandë për Kur’anin në ato kohëra, ku regjimi jugosllav kishte nën llupën e tij çdo lëvizje kombëtare dhe fetare që bënin shqiptarët në atë kohë. Padyshim që jo. Në këto vite ishte një guxim i madh intelektual që t’i futej një punë siç ishte përkthimi i Kur’anit.
Në vitin 1986, një vit pas përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, të cilin e botoi Bashkësia Islame e Kosovës, F. Mehdiu i afron lexuesit shqiptarë edhe përkthimin e librit Kur’ani mrekullia më e përsosur, të cilin e botoi Bashkësia Islame e Maqedonisë, në Shkup. I shkruar nga njëri prej kolosëve të thirrjes islame, Ahmet Didat”, tha në kumtesën e tij studiuesi z. Kadriu.
Ndërsa në anën tjetër, Imer Topanica në kumtesën e tij Letërsia Alhamiade Shqipe dhe Kur’ani, tha: “Literatura shqipe, rrjedhimisht edhe studimet letrare, vazhdojnë ta riciklojnë, këtu e sa dekada, një prodhimtari të ndikuar drejtpërsëdrejti nga qarqe me influencë (për të mos thënë, ideologjike). Agjenda të ngarkuara ideologjikisht kanë ndikuar në këtë të fundit (studimet letrare pra), që gradualisht dhe në mënyrë sistematike ta zbehë në kujtesën e saj, një pjesë të madhe të letërsisë së ashtuquajtur e bejtexhinjve. ‘Letërsia shqipe, edhe sot, vazhdon të frikësohet para politikës e ideologjisë. Si shkrim dhe si interpretim. Ose çon krye kundër politikës duke e tradhtuar natyrën e vet. Duke u bërë me çdo kusht ushtar apo kreator i identitetit nacional, shndërrohet në hasm të shpirtit të vet. – heton me të drejtë studiuesi Kujtim Rrahmani.”
“Ky lloj i letërsisë për herë të parë paraqitet në Spanjë kur Maurët kanë pushuar të flasin në gjuhën arabe dhe kanë filluar të hartojnë traktate dhe poezi në gjuhën spanjolle, por me shkrim arab. Fjala “alamia” nga e cila është krijuar shprehja “letërsia alamiado” është forma spanjolle e fjalës arabe “al-a’gamiyya” që don të thotë “e huaj, jo arabe”. Domethënia ka përjetuar shumë ndryshim, por sot domethënë letërsia e krijuar në mesjetën e vonshme të shkruar në gjuhën romane-spanjolle, por jo me shkrim latin, po me atë arab”, shpjegon më tutje Kaleshi,” u shpreh në kumtesën e tij studiuesi Topanica.
Ai po ashtu theksoi se kur’ani grishi kureshtjet edhe të shqiptarëve, të cilët në Perandorinë Osmane, depërtuan shpejt apo vrullshëm, siç do të thoshte Kaleshi. Por s’qenë të zot vetëm në pozita të larta politike e ushtarake, por edhe në art, pra edhe në poezi/ letërsi. Dhe kjo lloj letërsie bënë një kapërcim radikal, në përmbajtje tematike dhe ç’është e vërteta në substancë, pra në rrafshin estetik, për herë të parë në historinë e letërsisë shqipe.
Përkthimi i parë komplet i Kur`anit në gjuhën shqipe nga besimtarët myslimanë shqiptarë ishte pritur shumë mirë, interesimi për të pasur një ekzemplarë të tij ishte jashtëzakonisht i madh, sa që atë kohë ky ishte libri më i kërkuar në Kosovë, e ajo që ishte me e keqja shtypi shqiptar nuk i dha jehonë botimit të plotë të Kur’anit.