Lista Serbe, që ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në Qeverinë e Kosovës prej 3 shkurtit, tani ka vënë kushte për t’u rikthyer në Ekzekutiv dhe Kuvend, shkruan sot Koha Ditore.
Burime të gazetës kanë thënë se Serbia, nëpërmjet kësaj liste, po mundohet që si kompensim për largimin e Jablanoviqit t’iu vërë kushte partnerëve të koalicionit PDK-LDK, për lejimin e propozimit të emrit për zëvendësshef të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Qysh para shkarkimit të Jablanoviqit, gazeta pati shkruar se kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, po insiston që ta vendosë njeriun e tij për zëvendësshef të AKI-së. Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës nuk ka pohuar as mohuar në lidhje me “kushtin” e serbëve.
Ata nuk kanë qenë në gjendje as të japin ndonjë përgjigje të saktë se kur do të rikthehen zyrtarët serbë në Qeveri.