Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur marrëveshjen midis Japonisë dhe Koresë së Jugut për zgjidhjen e çështjes së “skllaveve të seksit” gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në atë kohë, gratë janë detyruar të punojnë në bordellot e ushtrisë japoneze.
Japonia ka kërkuar falje dhe do të paguajë një miliard jen, ose 9.3 milionë dollarë si kompensim për viktimat.
Njoftimi është bërë sot, pasi ministri i Jashtëm i Japonisë, Fumio Kishida, ka takuar në Seul homologun e tij jugkorean, Yun Byung-se.
“Ne e mbështesim këtë marrëveshje dhe zbatimin e plotë të saj. Besojmë se kjo zgjidhje gjithëpërfshirëse është një gjest i rëndësishëm, që duhet të mirëpritet nga komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë këshilltarja për siguri kombëtare e Shteteve të Bashkuara, Susan Rice.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, i ka telefonuar të hënën presidentes së Koresë së Jugut, Park Geun-hye, për t’i shprehur sërish keqardhje.
Çështja ka ndjekur marrëdhëniet midis dy vendeve për dekada të tëra.
Llogaritet se rreth 200,000 gra, shumica e tyre koreane, janë shfrytëzuar seksualisht nga ushtria japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vetëm 46 ish-skllave seksi jetojnë ende në Korenë e Jugut.