Festave të fundvitit dhe vizitës së babadimrit u janë gëzuar edhe disa fëmijë të komunës së Prishtinës, të cilët sot i kanë vizituar të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Rinia e degës së PDK-së në Prishtinë, ua ka dërguar babadimrin fëmijëve të familjeve në nevojë nëpër shtëpitë e tyre, të cilëve u kanë shpërndarë edhe dhurata.
Kjo iniciativë e këtyre të rinjve kishte për qëllim që edhe këta fëmijë t’i gëzohen festës së Vitit të Ri, sikurse të gjithë fëmijët e botës, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Kryetari i rinisë së PDK-së në degën e Prishtinës, Triumf Sadikaj, për aktivitetin e sotëm tha se, duke ua bërë këtë befasi fëmijëve dhe duke iu shpërndarë dhurata, kanë dashur që ta ndajnë gëzimin e festave të fundvitit me ta.
Nga rinia e degës së PDK-së në Prishtinë janë ndarë rreth 100 dhurata për këta fëmijë.