Në listën e të pakënaqurve me ndryshimet fiskale janë edhe prodhuesit e vendit.
Pavarësisht se atyre u është hequr TVSh-ja për blerje të pajisjeve, shtimi i tatimit për një numër produktesh ua ka vështirësuar tej mase punën.
Sylejman Konushevci, pronar i kompanisë për prodhimin e vajit ushqimor Intercompany, thotë se për një maune është dashur të paguajë mbi 3500 euro, transmeton Koha.net.
Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e fundit të bordit u është bërë e ditur 140 punëtorëve të kësaj kompanie që nëse nuk ndryshon situata, do të nisë procesi i uljes së numrit të të punësuarve.
Njëjtë mendojnë edhe shoqatat e biznesit.
Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, ka thënë se më mirë do të ishte të mos prekej fare norma tatimore, por të merrej parasysh një propozim disavjeçar i FMN-së. Nga ana tjetër, në Administratën Tatimore thonë se me vendimet e fundit më së shumti përfitojnë bizneset, sidomos sektori i prodhimit.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të ATK-së, Nahit Sharku, nuk ka dhënë detaje se sa do të jetë vlera që kjo administratë do t’i marrë nga ndryshimet fiskale. Sipas disa përllogaritjeve të bëra del se nga rritja e TVSH-së dhe akcizës në disa produkte, shteti do të ketë të hyra vjetore prej rreth 120 milionë eurosh, përderisa nga ulja e TVSh-së në 8% do të humbë vetëm 30 milionë brenda një viti.