Presidenti Barack Obama dhe kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton janë në krye të listës së personave “më të admiruar” në Shtetet e Bashkuara, të shpallur nga organizata e sondazheve Gallup.
17 për qind e amerikanëve zgjodhën Obama si më të admiruarin mes burrave, ndërsa 13 për qind votuan për zonjën Clinton si gruan më të admiruar.
Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka qenë në krye të listës 20 herë, dhe kjo është hera e 14 radhas, ndërsa Presidenti Obama është emëruar tetë herë, transmeton VOA.
Në vend të dytë e të tretë mes burrave janë Papa Françesku dhe kandidati republikan për President Donald Trump, secili me nga pesë për qind. Trump ka qenë edhe më parë ndër dhjetë më të admiruarit, nga viti 1988 deri në 1990 dhe përsëri në vitin 2011.
Aktivistja pakistaneze, Malala Yousafzai dhe Oprah Winfrey ishin në vend të dytë dhe të tretë mes grave me 5 për qind dhe 4 për qind respektivisht.