Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë se viti që po lëmë pas ka qenë i pasuksesshëm në aspektin e sigurisë.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se problemi kryesor ka qenë shkuarja e të rinjve në ISIS dhe mostransformimi i Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur. “2015-shi nuk ka qenë vit i suksesshëm për Kosovën në aspektin e sigurisë sepse kemi parë shumë probleme. Shkuarja e të rinjve në ISIS është një problem jashtëzakonisht i madh për Kosovën, kurse sfidë ka qenë mostransformimi i Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur. Madje nuk është parë vullnet politik i mirëfilltë, veprime konkrete dhe gatishmëri për t’u bërë ky transformim shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për Kosovën”, ka deklaruar Kastrati, duke shtuar se Policia dhe Forca e Sigurisë i kanë kryer me sukses detyrat që u takojnë. Megjithatë, sipas Kastratit, as në vitin 2016 Kosova nuk pritet të bëhet me ushtri. “Nuk besoj se në vitin 2016 do të ndodhë transformimi i FSK-së, sepse nuk shoh ndonjë seriozitet, meqë nuk është marrë asnjë hap konkret nga Qeveria qoftë për rritjen e buxhetit, qoftë për përafrimin e qëndrimeve me palën serbe. Prandaj, nuk jam optimist se Kosova do të bëhet me Forcë të Armatosur vitin e ardhshëm”, ka theksuar ai.
Sipas Kastratit, Kosova nuk është vend i sigurt dhe mund të jetë cak i sulmeve terroriste për arsye se është vendi i katërt në botë me numrin më të madh të pjesëtarëve në ISIS. “Janë mbi 300 pjesëtarë në ISIS. Duke qenë të gjithë këta në të, nuk shoh që Kosova mund të jetë e sigurt ose mos të jetë cak i sulmeve të terrorizmit. Jo vetëm ata që kanë shkuar në ISIS mund të kthehen, por nuk po shoh ndonjë rezultat apo plan të veprimit nga Bashkësia Islame, bazuar në strategjinë kombëtare, për luftimin e terrorizimit dhe për t’i parandaluar të rinjtë të mos shkojnë në ISIS”, ka theksuar ai. Kastrati ka thënë se Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë duhet t’i rrisin masat e sigurisë dhe duhet ta ngrehin vigjilencën në çdo aspekt.