Lajmet e fundit

Lutfi Haziri: Nuk marrë pjesë në gara të pështymës

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të fundit për vitin 2015, ka vlerësuar se ky vit ka qenë i rëndësishëm, i suksesshëm, me plot sfida dhe është përcjellë me interesim nga qytetarët dhe nga këshilltarët komunal.
Ai tha se ndihet krenar që Komuna e Gjilanit është shpallur Komuna me shpenzimet më të ulëta në Republikë.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, kreu i Gjilanit tha se “nuk merr pjesë në gara t’pshtymës”.

“Temat që e kanë përcjellur Kuvendin nga janari janë retorikë e njëjtë, insinuata, kualifikime që bazohen apo motivohen në prapavijë politike dhe jo në interes të qytetarëve. Unë i jap llogari qytetarëve, kurse raportin me Kuvend e kam të rregulluar me ligj. Jam krenar që unë jam zgjedhur me votë qytetare prej 60 për qind, ndërkaq nga dita e betimit i përfaqësoj qind për qind të qytetarëve. Për inate politike, disa vazhdojnë të njollosin, por unë ju kam treguar që në fillim se në lojën e pështymës nuk marrë pjesë. Nuk marrë pjesë në garat të tilla”, ka thënë Haziri.

Në përgjigjen lidhur me informatat e fundit që “këshilltari komunal, Sergjan Mitrovic, është kryetar i Komunës paralele”, kreu i Gjilanit tha se nuk merret me fosile politike.
“Unë jam i zgjedhur si kryetar me sistem të drejtpërdrejt dhe i jap llogari qytetarëve. Ndërsa raportin me Kuvendin e kam të rregulluar me ligj, sikurse që e kanë edhe këshilltarët që duhet t’i përmbahen. Unë nuk merrem me fosile politike, me fallanga, e me ato pjesë të ndryshkura të Serbisë pas 12 qershorit 1999 dhe këtë duhet ta vlerësojnë organet e shteti e jo kuvendet komunale”, tha Haziri.

“Kolegu i juaj është zgjedhur nga lista e iniciativës qytetare sipas ligjeve të Kosovës dhe i ka fituar votat. Ai sot është këtu duke përfaqësuar një pjesë të komunitetit pakicë, në një listë politike e cila është e përfaqësur dhe është e ndarë nga lista serbe për Kosovën. Nëse i është bashkuar më vonë, është çështje e tij. Sa i përket emërimit të tij, për mua është e papranueshme, e patolerueshme çdo lloj ndërhyrje e sistemit juridik të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe Komunës sonë. Do ta luftoj deri në fund që të paftësohet dhe të paralizohet roli i tyre në jetën institucionale në Kosovë”, ka shtuar Haziri.

Ndërkohë, kryetari Haziri pohoi se Qeveria e Asutrisë ka nënshkruar marrëveshje me qeverinë e Kosovës, ndërkaq Gjilani është njëra nga dy komunat e përzgjedhura për të përfituar.

“Sipas këtij ligji të miratuar në Kuvendin e Republikës, Gjilani ka konkurruar që t’i marrë 12 milionë euro dhe jemi njëra prej dhjetë komunave që kemi konkurru dhe njëra nga dy komunat që jemi zgjedhur për të përfituar në trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e shtratit të lumit “Stanishorka”, pjesërisht “Mirushës” dhe integrimin e sistemit të kanalizimeve për 54 kilometra në territorin e Komunës. Detajet e kontratës dë të negociohen nga ministri i Financave të Kosovës me atë të Austrisë dhe dëshmitar në process të kontratës do të jemi ne”, është shprehur Haziri.

Gjithashtu, kryetari Haziri ka informuar që nga marrëveshja e qeverisë me BERZH-in, Gjilani përfitron në masën prej 70 për qind të mjeteve.

“Përderisa në Prishtinë thuhet që marrëveshja e BERZH-it e nënshkruar dje nga qeveria, në masën 70 për qind mjetet janë për Gjilan, të zgjedhurit e Gjilanit e kundërshtojnë, në vend se t’I aplaudojnë marrjen e këtyre dy projekteve të mëdha që janë dy korridore, Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Prishtinë, të cilat në vitin e ardhshëm do të realizohen”, tha Haziri.
Ndryshe, Kuvendi Komunal I Gjilanit po i vazhdon punimet për pikat e rendit të ditës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.