Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Radio Kosovën, tha se nuk ka asnjë arsye që mos respektohet marrëveshja në mes të PDK-së dhe LDK-së në ndarjen e përgjegjësive.
Ai tha se PDK dhe LDK janë “partner seriozë” dhe do ta implementojnë marrëveshjen në tërësi.
RADIO KOSOVA: Zoti zëvendëskryeministër, jemi në fund të vitit 2015, një vit që karakterizohet me krizë të brendshme politike dhe me një proces të vështirë të dialogut me Serbinë. Si e vlerësoni ju vitin 2015?
HASHIM THAÇI: Më lejoni që fillimisht t’ju uroj festat e fundvitit, juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës; festën e Kërshëndellave dhe Vitin e Ri, duke uruar gjithë të mirat për çdo qytetar dhe familjet shqiptare kudo që janë. Viti 2015 ka qenë një vit jo edhe i lehtë, i sfidave dhe ballafaqimeve, por mund të themi lirisht që ka qenë një vit i progresit, i suksesit, vit evropian për Republikën e Kosovës. Ka pasur hapa dhe vendime konkrete në procesin e evropianizimit të rajonit, duke punuar ngushtë edhe me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj, besoj se ka qenë një vit i ballafaqimeve të suksesshme të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Institucionet e Republikës së Kosovës duke pasur legjitimitet të plotë dhe legalitet të qëndrueshëm, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014, zgjedhje këto të lira, fer, transparente dhe të pranuara nga i gjithë spektri politik dhe të vlerësuara lart nga bashkësia ndërkombëtare, kanë treguar një stabilitet funksional duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, thellimin e reformave demokratike, ekonomi, politikë dhe legjislacion, duke vazhduar në vendimmarrje të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe mund të themi se është arritur një sukses i konsiderueshëm dhe i vlerësuar prej të gjithëve. Nuk mund të them se ka pasur krizë politike në Kosovë , ka pasur probleme, incidente problematike në Parlamentin e Kosovës, por institucionet nuk ka qenë të bllokuara, ato kanë funksionuar dhe unë uroj dhe dëshiroj që viti 2016 të kursehet nga ato skena të pahijshme, të papranueshme në Parlamentin e Kosovës dhe jashtë tij, nga një spektër i caktuar politik. Imazhi që është paraqitur nga këto pamje nuk është imazhi i vërtetë i Kosovës. Sot Kosova e vërtetë është storje e suksesit.
RADIO KOSOVA: Bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, padyshim, kanë qenë një nga ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar vitin 2015, dhe ndër pikat kryesore është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria thotë se është mekanizëm konsultativ, ndërsa opozita thotë se kjo është bosnjeizim i Kosovës. Cila është e vërteta sipas mendimit tuaj?
HASHIM THAÇI: Të dy marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për demarkacionin, janë obligime ndërkombëtare të Kosovës. Këto marrëveshje janë arritur nën udhëheqjen e lidershipit të Bashkimit Evropian, lehtësuar dhe mbështetur fuqishëm edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto dy marrëveshje dalin edhe si rezultat i marrëveshjeve të prillit 2013, mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona. Për të ndërtuar një fqinjësi të mirë si parakusht për të ardhmen, për t’u kyçur në NATO dhe Bashkim Evropian. Dua të potencoj se ne do ta respektojmë në tërësi, si Qeveri e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që është një këshillë dhe udhëzim për Qeverinë e Kosovës që në rastin e nxjerrjes së Dekretit dhe Statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të respektohet në tërësi Kushtetuta e Kosovës. Ne do ta ftojmë edhe opozitën që të jetë pjesë e këtij debati, e kësaj pune, në mënyrë që këto përgjegjësi t’i marrim bashkërisht dhe t’i implementojmë në tërësi këto dy projekte, të cilat janë të rëndësishme, dhe t’i shndërrojmë këto dy gjëra si argumente për fuqizimin e pavarësisë së Kosovës, dhe në asnjë rrethanë si faktor destabilizues apo jofunksional për vendin tonë.
RADIO KOSOVA: Opozita thotë se Qeveria po ia falë mijëra hektarë shtetit fqinj, Malit të Zi, megjithëse kështu nuk mendon madje as Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka rikonfirmuar se vendimi për demarkacion ka qenë i drejtë , profesional, ligjor dhe kushtetues. Çfarë do të ndodhë me këtë marrëveshje?
HASHIM THAÇI: Ne besojmë që marrëveshja për demarkacionin është kushtetuese dhe ligjore, është në përputhshmëri të plotë me opinionin dhe studimin e NATO-s. Kështu mendon edhe Bashkimi Evropian, SHBA, Qeveria e Kosovës … dhe të gjithë njohësit e mirë të kësaj çështjeje. Tash ka opinione të ndryshme nga liderë të ndryshëm të opozitës, por unë i ftoj që të respektohet studimi profesional, të respektohet puna edhe e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, por, si do që të jetë, në çdo rrethanë ne jemi të gatshëm që çdo vërejtje, edhe më të voglën, ta dëgjojmë e kuptojmë, dhe jemi të gatshëm ta rivlerësojmë në kuptimin e bashkëpunimit të ngushtë me Malin e Zi. Edhe Qeveria e Malit të Zi ka shprehur gatishmërinë që nëse edhe vetëm një qytetar ka ndonjë vërejtje dhe ka ndonjë dokument posedues për çdo centimetër apo metër tokë qe i ka mbetur në Mal të Zi, kjo çështje mund të rishqyrtohet dhe mund të zgjidhet fare lehtë, por ende, tash e katër muaj, nuk kemi ndonjë ankesë nga asnjë qytetar i asaj treve, me përjashtim të ankesave politike të një partie politike. Kjo çështje është përgjegjësi shtetërore dhe jo e një partie politike.
RADIO KOSOVA:Themelimi i Gjykatës Speciale ka hasur në kundërshtim të fortë nga opozita. Sigurisht që një vendim i tillë nuk ka qenë i lehtë, por a ishte i domosdoshëm?
Hashim Thaçi: Opozita e ka votuar më herët letërkëmbimin në mes presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së Diplomacisë evropiane, zonjës Ashton … tash ka vërejtje dhe opinione të ndryshme. Vlerësoj se themelimi i kësaj gjykate ishte hap i përgjegjshëm i institucioneve të shtetit të Kosovës, ne nuk jemi fshehur, sa më herët që Kosova të lirohet nga kjo barrë – aq me interes është për shtetin dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.
RADIO KOSOVA: Zoti zëvendëskryeministër, bota po përballet me dukurinë e terrorizmit ndërkombëtar. Në Siri dhe në Irak sot po luftojnë edhe dhjetëra kosovarë. A jemi ne në Kosovë të rrezikuar nga terrorizmi dhe çfarë hapash po ndërmerr Qeveria e Kosovës në luftën kundër këtij terrorizmi?
HASHIM THAÇI: Prezenca e disa individëve kosovarë në luftërat në Siri apo Irak, është gjëja më e shëmtuar dhe e rrezikshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Institucionet e Kosovës sot janë aktivisht në betejë kundër të keqes, kundër fundamentalizmit islamik dhe terrorizmit kudo që paraqitet, por në të njëjtën kohë jemi shumë të përgjegjshëm për vlerësimin e lartë që ka bërë sekretari amerikan i Shtetit, zoti Kerry, i cili e ka vlerësuar Kosovën si kampione në rajon në luftë kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit islamik. Ne jemi duke bashkëpunuar me të gjithë faktorët relevantë, në mënyrë që diçka e tillë të mos ndodhë në Kosovë, që njerëzit të cilët janë duke marrë pjesë atje të ballafaqohen me drejtësinë. Ne kemi nxjerr legjislacionin e duhur, jashtëzakonisht të rëndësishëm, si Parlament i Kosovës dhe institucione të vendit, prandaj do të vazhdojmë të zhvillojmë një betejë të pakompromis. Sot, qytetarët e Kosovës, si çdo herë, janë të mishëruar me vlerat perëndimore dhe qytetari i Kosovës dhe shteti i Kosovës asgjë nuk ka të bëjë me këta individë. Ata janë e keqja e vetvetes, janë e keqja e familjeve te tyre, janë e keqja e shtetit të Kosovës, janë e keqja e së ardhmes së Kosovës, por ne do të jemi të pakompromis dhe tolerancën ndaj tyre do ta kemi zero.
RADIO KOSOVA: Zoti zëvendëskryeministër, ju shpesh thoni se njohja e Kosovës nga ana e Serbisë do të sillte stabilitet në rajon. Kryetari i Partisë Republikane Serbe, Nikolla Sandulloviq, dje nga Tirana i ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë klasës politike të vendit të tij që ta njoh pavarësinë e Kosovës. Madje, ai shkoi edhe më tej dhe kërkoi falje publike për krimet e luftës në Kosovë. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të një politikani serb?
HASHIM THAÇI: Dihet botërisht që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Në anën tjetër – ne po punojmë që të mos ketë revanshim, por të kemi një komunikim normal, që t’i normalizojmë raportet tona shtetërore. Ky normalizim është në interesin e paqes në Kosovë, në Serbi dhe në gjithë rajonin. Tek e fundit – pa një normalizim të raporteve shqiptaro – serbe, që duhet të kaloj përmes Prishtinës, nuk ka paqe në rajon, prandaj në këtë drejtim e gjithë diplomacia ndërkombëtare, qoftë ajo e SHBA-së dhe e BE-së, janë të fokusuara në qetësimin dhe relaksimin e raporteve mes të dy popujve. Si do që të jetë ne do të punojmë që ky normalizim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ne duhet të punojmë që përpos 111 njohjeve aktualisht që i kemi, të fitojmë edhe njohje tjera. Por, duhet të fokusohemi që definitivisht në botë të depërtojmë përmes portës së madhe dhe jo përmes dyerve anësore apo të vogla. Thjesht – Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe kjo vetvetiu përmes procesit të ardhshëm integrues evropian nënkupton edhe njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës.
RADIO KOSOVA: Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në numrin e vogël të njohjeve dhe cilat do të jenë prioritetet e diplomacisë kosovare gjatë vitit 2016?
HASHIM THAÇI: Numri i njohjeve për Kosovën është i fuqishëm – janë 111 njohje ndërkombëtare, janë njohje prej shteteve me të fuqishme të botës. Kosova si shtet nuk ka vetëm partnerë dhe miq, ka edhe hezitues dhe kundërshtarë të saj. Nuk është i lehtë lobimi për njohjen për secilin shtet veç e veç, prandaj e theksoj nuk duhet të pretendoj të kopjojmë modelin palestinez të njohjeve për vendin tonë, por të shkojmë përmes një pune kolosale që po ndodh dhe do të ndodh … dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pra – të anëtarësohemi në OKB dhe me këtë të përmbyllet edhe procesi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
RADIO KOSOVA: Sipas marrëveshjes me partnerin tuaj të koalicionit qeverisës, në vitin 2016 do të duhej të jeni President i Kosovës. A mendoni se në vitin që po vjen ju më nuk do të jeni në pozitat aktuale?
HASHIM THAÇI: Unë do të luaj rolin tim të përgjegjësisë kushtetuese dhe ligjore kudo që do të jem. Ndihem tepër krenar që jam kryetar i partisë më të madhe në vend – Partisë Demokratike të Kosovës, tash e 17 vite, që kemi fituar gjashtë palë zgjedhje, tri të përgjithshme dhe tri nacionale. Përulem me respektin më të madh para çdo votuesi të Partisë Demokratike të Kosovës dhe respektit para çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Koalicioni aktual është duke funksionuar mirë, kryeministri Mustafa ka bërë punën më të mirë të mundshme për kushtet dhe rrethanat që po funksionojmë. Ndërsa unë nuk kam asnjë arsye që të mos besoj në implementim e plotë të marrëveshjes në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ndarjen e përgjegjësive për t’i udhëhequr institucionet e vendit. Prandaj jemi partner seriozë dhe do ta implementojmë marrëveshjen në tërësi.