Dogana e Kosovës me një ceremoni ka përmbyllur vitin 2015, zyrtarë të së cilës kanë deklaruar se gjatë këtij viti ka pasur arritje të mëdha. Ata thanë se taksat shënuan rritje prej 80 milionë apo për 9,5 për qind më shumë se arkëtimi në periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2014.
Përveç këtyre prezantimeve Dogana kremtoi edhe 7 vjetorin e shndërrimit në Doganën e Kosovës.
“Gjatë vitit 2015 Dogana ka arritur që secilin muaj të këtij viti të ketë arkëtime të cilat e kanë tejkaluar vitin paraprak dhe njëherazi paraqesin mbledhjen më të mirë që nga themelimi i Doganës së Kosovës.
Plani i Qeverisë parashihte grumbullimin e të hyrave për vitin 2015 në lartësi prej 946,1 milionë euro, kurse sot dogana ka mbledhur 937,6 apo 99,1 për qind kur kemi edhe tri ditë për të përmbyllur vitin kalendarik, prandaj projeksioni konsiderohet i tejkaluar”, ka thënë drejtori i Doganave Lulzim Rafuna.
Rafuna dhe ministri i Financave Avdullah Hoti në fund ndanë mirënjohje për oficerët e dalluar, respektivisht për ata oficerë të cilët arritën rezultate në luftën kundër krimit dhe kontrabandës.