Kuvendi Komunal i Gjilanit, të mërkurën, në seancën e fundit për këtë vit, të cilën e ka drejtuar kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, e ka përjashtuar nga mbledhja këshilltarin Sërgjan Mitroviq, për shkak të emërimit të tij në strukturat paralele të Serbisë dhe refuzimit që të deklarohet nëse i njeh institucionet dhe ligjet e Kosovës, sipas të cilave ai është zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal.
Këtij vendimi, sipas komunikatës së zyrës komunale të informimit, i ka paraprirë një debat i gjerë i anëtarëve të Kuvendit, të cilët kanë thënë se Mitroviq nuk mund të jetë edhe në institucionet e Kosovës, edhe në strukturat paralele të Serbisë, të cilat e pengojnë integrimin e komunitetit serb dhe punojnë kundër interesave të Kosovës.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, duke u ndërlidhur me këtë rast, ka thënë se nuk merret me fosile politike.
“Unë nuk merrem me fosile politike, me falanga e me ato pjesë të ndryshkura të Serbisë, që kanë ngelur në Kosovë pas 12 qershorit 1999. Këtë duhet ta vlerësojnë organet e shtetit dhe jo kuvendet komunale”, tha Haziri.
Shumica e këshilltarëve komunalë e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në seancë nëse Mitroviq nuk sqarohet rreth këtij rasti, apo nuk largohet nga seanca.
Pas dy pauzave, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila i ka dhënë mbështetje kësaj kërkese të këshilltarëve komunalë, sipas rregullores e ka nxjerrë në votim rastin e Mitroviqit dhe Kuvendi, me 29 vota për, ka vendosur përjashtimin e tij nga seanca.
Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se do t`i drejtohen me shkrim MAPL-së, për të marrë përgjigje ligjore në lidhje me këtë rast, ku një anëtar i zgjedhur i Kuvendit Komunal, në të njëjtën kohë bëhet pjesë e strukturave paralele, madje kryetar i të ashtuquajturës Komunë e Gjilanit.