Për analistin politik Astrit Gashi viti 2015 ishte tepër vit i dobët dhe jofunksional i Qeverisë së Kosovës dhe “i plotëson të gjitha kushtet që të hidhet në shportë mbeturinash”.
Ai në Info Magazine të Klan Kosovës duke folur për ngjarjet që shënuan vitin 2015 dhe Qeverinë Mustafa tha se koalicioni qeveritar nuk arriti të stabilizohet asnjëherë, përkundër se ishte një koalicion i madh.
“Ka qenë vit i zymtë dhe po nisi me një qeveri që ishte e fuqishme në numra dhe nuk arriti të konsolidohet as nga brenda e as me veprimet e saja që nga muajt e parë të funksionimit”, tha Gashi duke përmendur edhe disa nga situatat kryesore që përcollën vitin.
“Protestat e dhunshme e kanë përcjellë këtë qeveri që nga fillimi. Një çështje tjetër që u bë sfidë për ekzekutivin ishte themelimi i Gjykatës Speciale”.
“Kurse vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ia hodhi poshtë të gjitha argumentet qeverisë”.
“Por, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte pozitiv në kuptimin e asaj që të gjithë u pajtuan me atë vendim”.
Gashi përmendi edhe një lajm të mirë, që sipas tij, ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, “ndonëse kjo nuk është një çështje e përfunduar”.