Lajmet e fundit

Isa Mustafa, ka dështuar vet, kurse ka forcuar pushtetin e zëvendësit të tij

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka dështuar vet, kurse ka forcuar pushtetin e zëvendësit të tij Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë në Info Magazine, Agron Demi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP.

“Komplet ky mandat qeverisës i Kryeministrit Isa Mustafa mund të matet me një deklaratë 2 minutëshe ku thotë se s’do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës”.

“Nëse kthehemi një vit e gjysmë pas, mund të shohim se është forcuar Hashim Thaçi dhe PDK-ja duke e kapur shtetin e Kosovës”.

Ai tha se “ne shoqëria civile jemi munduar që të reagojmë shumë për bordet e ndërmarrjeve publike, për emërimin e personave në krye të tyre. Por kjo qeveri është mësuar që nëse nuk ka reagime nga jashtë, të mos i marrë parasysh kritikat nga shoqëria civile dhe mediave”.

“Bordet e ndërmarrjeve publike i kemi të mbushura me persona politikë. Viti 2015 ka filluar me krizë politike dhe përfundon me krizë politike”, pohoi Demi.

Ai kritikoi edhe pakon e re fiskale të Qeverisë.

“Me ndryshimet fiskale, sidomos në TVSH çmimet nuk do të bien por do të rriten. Vendimi për faljen e borxheve ka qenë një vendim i duhur dhe së paku disa qytetarë do të lirohen, mirëpo po duket se as ky plan nuk do të funksionojë”.

“Ideja e faljes së borxheve ka qenë që t’u falen ato në mënyrë që të paguhen borxhet tjera, mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe borxhet vetëm sa janë rritur”.

“Për çdo vit kemi ndryshime të ligjeve, dhe kjo nënkupton se ligjet po bëhen shkel e shko, pa konsultime e debate publike”, tha Demi në Info Magazine.

Leave a Reply

Your email address will not be published.