Shtetet federale të Gjermanisë kanë planifikuar që në total të shpenzojnë 16.5 miliardë euro në vitin 2016 për emigrantët.
Lajmi është bërë i ditur nga një studim vendas, i cili ka marrë nën shqyrtim planifikimet e bëra nga Ministritë e Financave të shteteve respektive. Fondet do të shpenzohen për strehim, ushqim,dhe një sërë shërbimesh ku përfshihen kujdesi shëndetsor, edukimi, etj. Në bazë të një përllogaritjeje, strehimi i një emigranti i kushton Gjermanisë afro 670 euro në ditë.
Një problem më serioz i menaxhimit të refugjatëve është bërë edukimi. Qeveria ka njoftuar se për të shkolluar 300.000 fëmijë që kanë kërkuar azil me prindërit e tyre, nevojiten afro 25.000 mësues.
Megjithatë, nuk janë vetëm fëmijët ata të cilët kanë nevojë për shkollim, pasi pjesa më e madhe e të rriturve nuk e zotëron gjuhën gjermane.
Sa i përket shpenzimeve, ekspertët thonë se përllogaritja është bërë në bazë të një projeksioni të bazuar në trendin aktual të ardhjeve të azil-kërkuesve. Shifra e shpenzimeve mund të ndryshojë në rast se parashikimi nuk do të jetë i saktë. Kjo do të thotë se në rast se në vend do të vijnë më shumë emigrantë shpenzimet do të rriten dhe anasjelltas.